Telenews

Putini paralajmërohet nga Britania për nëndetëset ruse: Çdo sulm ndaj kabllove do të ketë pasoja serioze

Ushtritë e Mbretërisë së Bashkuar dhe Norvegjisë kanë udhëhequr një operacion të gjerë në Atlantikun e Veriut për të penguar nëndetëset ruse të dyshuara për “aktivitet të dëmshëm”, ka bërë të ditur sekretari britanik i mbrojtjes, John Healey.

Sipas tij, një fregatë, aeroplanë dhe qindra pjesëtarë të personelit kanë monitoruar një nëndetëse sulmuese ruse dhe dy nëndetëse spiune pranë infrastrukturës nënujore në veri të Mbretërisë së Bashkuar.

Ai bëri të ditur se anijet ruse janë larguar pas përfundimit të operacionit, i cili ka zgjatur më shumë se një muaj.

Healey ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj Rusisë, duke paralajmëruar për pasoja të rënda në rast të ndërhyrjeve në infrastrukturën kritike.

“Ne e shohim aktivitetin tuaj mbi kabllot dhe tubacionet tona dhe ju duhet ta dini se çdo përpjekje për t’i dëmtuar ato nuk do të tolerohet dhe do të ketë pasoja serioze”, tha ai.

Sipas tij, Vladimir Putin synon të shpërqendrojë vëmendjen nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, por Rusia mbetet kërcënimi kryesor për Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët e saj.

“Nuk do t’i heqim sytë nga Putini”, shtoi ai.

Në fund të marsit, Mbretëria e Bashkuar deklaroi se ushtria e saj është e gatshme të sekuestronte anije të dyshuara si pjesë e “flotës në hije” ruse që transporton naftë, në shkelje të sanksioneve ndërkombëtare të vendosura pas agresionit të Rusisë në Ukrainë në vitin 2022.

Sipas raportimeve, Rusia ka ndërtuar një flotilje me cisterna të vjetra nafte me pronësi të paqartë për të anashkaluar sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe grupi i vendeve G7.

Të ngajshme

Eksperimenti i pazakontë i mjekes: Botoksi vetëm në një anë të ballit tregon ndryshimin e dukshëm

Blearta

Spalletti pranon kushtet e rinovimit me Juventus

Blearta

“S’kam problem nëse partneri im është me gra të tjera”/ Aktorja habit me deklaratën për marrëdhëniet personale

Blearta