Kryeministri Albin Kurti ka përshëndetur aksionet e Policisë së Kosovës kundër bixhozit të paligjshëm në rajonin e Mitrovicës, për të cilat ka raportuar ekskluzivisht Sinjali.
Ai tha se luftimi i krimit të organizuar po shtrihet në të gjithë territorin e Kosovës dhe se operacionet e fundit anti-drogë dhe anti-bixhoz tregojnë përkushtimin e institucioneve në këtë drejtim.
Aksioni i fundit ka rezultuar me arrestimin e disa personave të dyshuar dhe sekuestrimin e mjeteve të ndryshme materiale, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Siç raportoi ekskluzivisht dje Sinjali, nga ky operacion kanë rezultuar:
- 34 persona të arrestuar
- rreth 50 lokacione të bastisura (lokale dhe banesa)
- rreth 170 mijë euro para të gatshme të sekuestruara
- 5 automjete dhe armë zjarri
- pajisje dhe materiale që dyshohet se janë përdorur për bixhoz ilegal
Me vendim të prokurorit:
- 29 të dyshuar janë dërguar në mbajtje,
- ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.
Pjesë e këtij operacioni kanë qenë edhe veprimet në Skenderaj, ku janë kontrolluar 15 lokacione dhe janë arrestuar 8 persona, prej të cilëve 4 janë dërguar në mbajtje.

