Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka ngritur alarmin për një situatë që, sipas tij, po ndikon drejtpërdrejt në jetën e mijëra shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ai ka deklaruar se autoritetet serbe kanë bllokuar transferet dhe donacionet që vijnë nga Kosova, të destinuara për mbështetjen e arsimit, bujqësisë dhe ruajtjes së identitetit kombëtar në këtë rajon.
“Nuk bëhet fjalë për një çështje teknike, por për një bllokim të qëllimshëm të fondeve që prekin drejtpërdrejt 3650 nxënës, 94 fëmijë pa përkujdesje prindërore, 957 bujq dhe mijëra qytetarë të tjerë”, ka shkruar Rexhepi.
Sipas tij, ky bllokim po realizohet përmes sistemit bankar nga autoritetet serbe, duke përfshirë edhe ministrin Demo Berisha.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës e ka dënuar ashpër këtë veprim, duke e cilësuar si një ndërhyrje të papranueshme dhe pjesë të një praktike të vazhdueshme të bllokimeve institucionale ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, transmeton Klankosova.tv.
Sipas autoriteteve në Prishtinë, bëhet fjalë për mjete të ndara që nga 10 tetori 2025 në vlerë prej 304 mijë eurosh, të cilat ende nuk janë ekzekutuar. Ndërkohë, deri në prill të vitit 2026, shuma totale e fondeve të bllokuara ka kaluar mbi 1.8 milionë euro.
Qeveria e Kosovës thekson se kjo praktikë bie ndesh me standardet ndërkombëtare dhe ka njoftuar Bashkimin Evropian dhe faktorët e tjerë relevantë ndërkombëtarë, duke kërkuar reagim urgjent për këtë çështje.
Autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë mbështetjen për shqiptarët në Luginën e Preshevës, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike dhe ndërkombëtare për të garantuar respektimin e të drejtave të tyre.

