Organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 në Prishtinë po konsiderohet si një ndër projektet më të mëdha sportive dhe zhvillimore për Kosovën, me ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në sport, por edhe në infrastrukturë, ekonomi dhe imazh ndërkombëtar.
Institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë tashmë kanë nisur përgatitjet dhe koordinimin, duke e parë këtë ngjarje si një mundësi unike për vendin që të prezantohet në arenën globale dhe të lërë një trashëgimi afatgjatë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, theksoi rëndësinë e përkushtimit dhe bashkëpunimit institucional për realizimin e këtij projekti madhor. Ai vuri në pah se organizimi i Lojërave kërkon kohë, përpjekje të mëdha dhe mbi të gjitha unitet mes nivelit lokal, qendror dhe institucioneve sportive, duke e cilësuar këtë si një mundësi që vjen vetëm një herë në jetë dhe që duhet shfrytëzuar për të dëshmuar përparimin e vendit.
“Ne po përgatitemi për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Mendoj se ishte e rëndësishme që i gjithë ekipi ta shihte se kjo kërkon shumë përpjekje, kërkon kohë, por mbi të gjitha kërkon unitet që ne duhet të punojmë së bashku, qeveria lokale, qeveria qendrore, si dhe Komiteti Olimpik, për t’i organizuar këto Lojëra, sepse ato mund të vijnë vetëm një herë në jetën tonë. Dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të shkëlqyer dhe për të treguar se sa shumë ka përparuar vendi ynë. Prandaj do të jemi gjithmonë mirënjohës dhe le të vazhdojmë të bashkëpunojmë, pavarësisht sfidave që kemi me qeverinë qendrore. Por komuna vazhdon të punojë dhe do të ecë përpara”, theksoi Rama.
Këtë deklarim Rama e bëri në një ceremoni ku Komuna e Prishtinës dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit në mbështetje të bursave prestigjioze Chevening.
Ai theksoi se takimet me kompani britanike dhe shkëmbimi i përvojave janë të rëndësishme për përgatitjet, ndërsa nënvizoi potencialin që Prishtina dhe Kosova kanë për t’u prezantuar si një vend dinamik, me të rinj dhe mundësi zhvillimi, duke vënë theksin edhe te trashëgimia afatgjatë që këto Lojëra mund të lënë pas.
“Ishim të lumtur që ju mirëpritëm ju, ministrin dhe presidentin e Komitetit në Londër, si dhe që ju prezantuam me disa kompani britanike me përvojë të madhe në organizimin e lojërave të ngjashme. Por ishte gjithashtu një mundësi për të zhvilluar diskutime rreth potencialit të madh për Prishtinën dhe Kosovën, jo vetëm për t’u prezantuar si një vend dinamik me të rinj, talent dhe mundësi, por edhe për trashëgiminë që do të mbetet pas vitit 2030 nga këto Lojëra. Dhe mendoj se ne ende e ndiejmë këtë në Londër, që nga viti 2012. Besoj se e dimë që kjo është, në njëfarë mënyre, mundësia e vërtetë e këtyre Lojërave këtu. Prandaj le të vazhdojmë të punojmë për këtë”, tha
Ndryshe, përgatitjet për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 kanë marrë një shtysë të re edhe në aspektin institucional. Së fundi, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin e veçantë për organizimin e Lojërave Mesdhetare, duke krijuar bazën ligjore për financimin, ndërtimin e infrastrukturës dhe koordinimin ndërinstitucional.
Ky hap konsiderohet kyç për mbarëvajtjen e projektit, pasi përcakton përgjegjësitë e institucioneve dhe garanton mbështetje të qëndrueshme shtetërore deri në vitin 2030.
Në këtë mënyrë, Kosova po synon jo vetëm organizimin e suksesshëm të një eventi të madh sportiv ndërkombëtar, por edhe ndërtimin e një trashëgimie afatgjatë në sport dhe zhvillim urban.

