Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në prezantimin e projektit për rinovimin dhe zgjerimin e Qendrës së Studentëve në Prishtinë, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare 2030.
Projekti, në bashkëpunim me Agjencinë Franceze për Zhvillim, parasheh rritjen e kapaciteteve në 4500 shtretër, renovimin e konvikteve, mensës dhe palestrës “1 Tetori”, si dhe ndërtimin e objekteve të reja dhe një pishine gjysmë-olimpike.Gjatë fjalës së tij, kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e këtij investimi për studentët dhe të ardhmen e arsimit në vend.
“Ju dëshiroj shumë sukses. Do të na keni pranë, sepse synimi ynë është që të krijojmë kushte edhe për studim edhe për banim për studentët tanë. Në vijim do ta dyfishojmë edhe buxhetin për bursa edhe numrin e bursave për studentë. Por synojmë që t’i përdorim Lojërat Mesdhetare 2030 që të rregullohet komplet kampusi universitar me kapacitete shtesë, me pajisje moderne dhe gjithashtu me kushte të përshtatshme për jetesë aty. Dhe, mu bë qejfi kur e pashë prezantimin e projektit” – tha Kurti.

Tutje, Kurti kërkoi zbatim të shpejtë të projektit, duke theksuar se investimet do të mbeten në shërbim të studentëve edhe pas vitit 2030.
Qendra e Studentëve pritet të transformohet në “Fshatin e Atletëve” gjatë Lojërave Mesdhetare, ndërsa më pas do të mbetet një investim afatgjatë në shërbim të studentëve dhe arsimit të lartë në Kosovë.

