Në 27-vjetorin e saj u kujtua beteja e madhe në Malet e Pashtrikut, ku u bashkuan mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, ku ushtria serbe kapitulloi.
Në manifestimin e organizuar nga Shoqata “Shigjeta”në Prizren, përfaqësuesi Muhamet Ibrahmi tha se operacioni “Shigjeta” ishte kulmi i bashkimit të kombit shqiptar.
Ibrahimi tha se ky operacion ka ndihmuar NATO-n që të identifikojë objektivat armike.
“Operacioni më i madh frontal dhe më masiv i UÇK-së. Sakrifica e dëshmorëve tanë nuk harrohet dhe se lufta jonë e drejtë ishte çlirimtare dhe e shenjtë për liri. Operacioni “Shigjeta” nuk është vetëm një operacion ushtarak, ishte kulmi i organizimit, sakrificës dhe bashkimit të kombit shqiptar.
Në majin e vitit ‘99 tash e 27 vjet më parë në malin e Pashtrikut nisi ofensiva e UÇK-së, lufta tashmë kishte kaluar në luftë frontale. Urdhri për sulm u dha më 25 maj dhe 26 maj, filloi sulmi mbi pozicionet serbe. UÇK dëshmoi se ishte një forcë serioze ushtarake, e aftë për të zhvilluar operacione frontalë kundër okupatorit serb. Në koordinim me aleatët ndërkombëtarë ky operacion zhveshi nga kamuflimi ushtrinë e okupatorit serb, duke i mundësuar forcave ajrore të NATO-s identifikimin dhe goditjen më të saktë te objektivave armike. Në planin diplomatik operacioni ‘Shigjeta’ ndikoi drejtpëdrejt në përshpejtimin dhe kapitullimin e okupatorit serb”, tha Ibrahimi.
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, shtoi se luftëtarët e UÇK-së vunë themelet e shtetit.
“Sot nderojmë një nga kryeveprat e UÇK-së, operacionin “Shigjeta”. Nuk ishte thjesht një operacion ushtarak, por një mishërim i vendosmërise sonë për liri.. Ata dëshmuan se trimëria dhe dashuria për atdheun mund të mposhtin çdo makineri ushtarake. Me gjakun dhe sakrificën e tyre, heronjtë tanë zhvilluan themelet e shtetit tonë. Sot dhe përgjithmonë ne përulemi me respekt para gjakut të dëshmorëve të tënë. Vepra e tyre eshtë dritë e udhërrëfyes për brezat që vijnë. Nuk jemi zullumqarë, jemi çlirimtarë”, shtoi Totaj.
Ish-komandanti i i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku tha se operacioni “Shigjeta”, fatkeqësisht nuk po përmendët as nga shteti ynë, por as nga armiku.
“Fatkeqësisht, ky operacion ka mbetur në heshtje, edhe nga ana jonë, por edhe armikut. Me plot bindje, përgjegjësi e njohuri them se ka qenë operacioni më i lavdishëm i UÇK-së.
Ky operacion jo që ka ndikuar bindshëm në përfundimin e luftës, por i ka dhënë një imazh tjetër UÇK-së. Edhe pse bombardimet vazhdonin, shumë persona iu kanë përgjigjur thirrjes për mobilizim gjithëpopullor. Një numër jashtëzakonisht i madh dhe ky tregon për vullnet që i kemi pasure. UÇK-ja ka dëshmuar se ka arritur në një shkallë zhvillimi që të organizojë operacione sulmuese dhe të planifikoj t’i zbatojë ato. Ky operacion është produkt i mendimit dhe veprimit ushtarak të UÇK-së. Nuk është diku tjetër, edhe pse serbët e thonë se eshtë planifikuar në zyret e Uashingtonit”, tha Çeku.
Operacioni “Shigjeta” UÇK-së u zhvillua nga 27 maji e deri më 10 qershor 1999 dhe e gjunjëzoi Serbinë dhe e detyroi ta nënshkruante kapitullimin.

