Profesori amerikan Daniel Serwer ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë dhe zgjedhjet e parakohshme të caktuara për 7 qershor, duke shprehur shpresën se procesi zgjedhor do t’i japë fund ngërçit institucional që, sipas tij, po zgjat tash e më shumë se dy vjet.
Në një intervistë për AbcNews, profesori i Universitetit Johns Hopkins tha se situata e krijuar në Kosovë është karakteristike për sistemet parlamentare, ku përveç garës zgjedhore, një fazë po aq e rëndësishme është edhe formimi i institucioneve pas zgjedhjeve.
Serwer theksoi se Kosova ka hasur vështirësi të vazhdueshme në tejkalimin e krizave politike dhe në formimin e institucioneve brenda afateve të arsyeshme, duke shtuar se pret që zgjedhjet e 7 qershorit të sjellin një zgjidhje përfundimtare të situatës.
“Kjo lloj situate ndodh në sistemet parlamentare. Në thelb, ka dy zgjedhje: njëra në ditën e votimit dhe tjetra gjatë procesit të formimit të qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit. Kosova ka pasur vështirësi në këtë proces dhe nuk ka arritur t’i zgjidhë problemet brenda një afati të arsyeshëm. Në fakt, kjo situatë po vazhdon prej më shumë se dy vitesh. Shpresoj që këto zgjedhje më në fund ta zgjidhin situatën në një mënyrë apo tjetër. Nuk e di nëse partia e Albin Kurtit, Vetëvendosje, do ta sigurojë shumicën që e kishte dikur, por nëse nuk e siguron, shpresoj që kryeministri Kurti të lëvizë shpejt drejt krijimit të një koalicioni dhe zgjedhjes së presidentit”, tha ai.

