Telenews

Konjufca kërkon mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësim në NATO: Politika jonë e jashtme është unike

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka theksuar rëndësinë e koordinimit të politikës së jashtme ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, pas takimit me homologun e tij shqiptar, Ferit Hoxha.

Në konferencën e përbashkët për media, Konjufca tha se raportet ndërmjet dy shteteve karakterizohen nga komunikim i vazhdueshëm dhe bashkëpunim i ngushtë.

“Takimet tona janë gjithmonë vëllazërore, të rregullta dhe të përhershme. Me shtetin shqiptar kemi komunikim të vazhdueshëm lidhur me objektivat tona të përbashkëta shtetërore e kombëtare”, ka thënë Konjufca.

Ai theksoi se koordinimi i politikës së jashtme mes Kosovës dhe Shqipërisë është i natyrshëm, pasi sipas tij, të dy shtetet përfaqësojnë interesat e të njëjtit komb.

“Të koordinosh politikën e jashtme mes dy shteteve si Kosova dhe Shqipëria është gjëja më e lehtë sepse përfaqësojmë interesat e të njëjtit komb, prandaj edhe politika jonë e jashtme është unike”, u shpreh ai.

Konjufca tha se orientimi strategjik i Kosovës dhe Shqipërisë mbetet integrimi euroatlantik dhe vlerat perëndimore.

“Orientimet strategjike kah vlerat perëndimore dhe rruga euroatlantike është përcaktim i kombit shqiptar dhe në këtë rrugëtim vendet tona janë përkrah njëra-tjetrës”, deklaroi ai.

Duke folur për perspektivën evropiane të Shqipërisë, Konjufca u shpreh optimist se Tirana mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian brenda dy ose tre vjetësh.

“Për Kosovën anëtarësimi i Shqipërisë në BE do të ishte inspirim, por edhe një shans i madh përfitues në aspiratën tonë eurointegruese”, tha ai.

Ministri në detyrë bëri të ditur se gjatë takimit janë diskutuar edhe çështje që lidhen me sigurinë dhe integrimet ndërkombëtare të Kosovës, duke kërkuar mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e vendit në NATO.

“Kosova ka ndërtuar dhe po forcon kapacitetet e mbrojtjes dhe është e gatshme të bëhet pjesë e kësaj strukture të sigurisë”, u shpreh ai.

Konjufca shtoi se mbështetja e Shqipërisë mbetet e rëndësishme edhe në procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke veçuar si prioritete marrjen e pyetësorit dhe hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Të ngajshme

Hoxha e cilëson Kosovën “prioritet absolut” të politikës së jashtme shqiptare

KushtrimGuraj

Kadri Veseli feston sot ditëlindjen, mbush 59 vjet

KushtrimGuraj

Zgjedhjet e 7 qershorit, Serwer: Kurti të formojë shpejt koalicion nëse s’e siguron shumicën

KushtrimGuraj