Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se më 1 gusht 2026 do të zbatohet kufizim i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë në autoudhët e Kosovës.
Sipas njoftimit, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë 32 gradë Celsius ose më shumë.
Ministria bën të ditur se në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi do të zhvillohet pa kufizime.
Nga ky vendim përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Autoritetet u kanë bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të automjeteve që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin sipas orarit të përcaktuar.

