Krijuesi shqiptar është mes pesë personaliteteve që do të nderohen më 11 gusht në Cervicati, në një ceremoni kushtuar diversitetit kulturor, dialogut dhe vlerave që bashkojnë popujt e Mesdheut
Një tjetër vlerësim ndërkombëtar për Ilir Shaqirin. Artisti dhe shkrimtari shqiptar do të nderohet më 11 gusht 2026, në Cervicati të Italisë, me Çmimin Mesdhetar të Paqes 2026.
Ceremonia do të zhvillohet në kuadër të prestigjiozit Çmim Ndërkombëtar Morea, ndërsa edicioni i sivjetmë sjell në qendër një temë me peshë të veçantë: “Diversiteti kulturor për dialog dhe zhvillim”.
Çmimin do ta dorëzojë Enrico Marchianò, president i Klubit për UNESCO-n në Cosenza, ndërsa këtë vit janë përzgjedhur pesë personalitete nga mjedisi arbëresh dhe shqiptar, të cilat janë dalluar me kontributin e tyre në art, kulturë dhe jetën institucionale.
Krahas Ilir Shaqirit, do të nderohen edhe:
- Besa Dauti – piktore
- Antonella Pelilli – këngëtare lirike
- Gioberto Filice – kryetar i Komunës së Cervicati-t
- Antonio Pomillo – kryetar i Komunës së Vaccarizzo Albanese-s
Përtej vlerësimit të arritjeve individuale, ceremonia synon të nxjerrë në pah edhe pasurinë e kulturës arbëreshe, një trashëgimi që prej shekujsh ka ruajtur gjuhën, traditat, kujtesën historike dhe lidhjen shpirtërore me botën shqiptare.
Në këtë frymë, Çmimi Mesdhetar i Paqes e vendos kulturën në rolin e një ure që afron komunitetet dhe e sheh dialogun si një nga rrugët më të rëndësishme drejt mirëkuptimit, bashkëjetesës dhe zhvillimit.


