Ambasada Britanike në Kosovë ka komentuar zhvillimet e sotme në Kuvend.
Përmes një deklarimi zyrtar, Ambasada fton liderët politikë që të zgjidhin urgjentisht situatën, në të mirë të popullit dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Parlamenti është zemra e demokracisë. Ai e mban qeverinë përgjegjëse dhe mundëson legjislacionin që mund ta çojë shoqërinë dhe ekonominë përpara. Kosova ka qenë pa një parlament plotësisht funksional për shumë ditë në dy vitet e fundit.
Kjo është përgjegjësi e politikanëve të Kosovës, jo e sistemit të saj. Ata tani duhet urgjentisht të punojnë së bashku për të zgjidhur këtë situatë përmes dialogut dhe negociatave paqësore, për të mirën e popullit të mrekullueshëm të Kosovës dhe partneriteteve të saj ndërkombëtare” thuhet në deklaratë.
Kujtojmë se seanca e sotme u shtye sërish pas asaj të së enjtjes, pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti, kërkoi afat shtesë për të zhvilluar bisedime lidhur me çështjen e presidentit.

