Një objekt pesëkatësh i ndërtuar pa leje në Qeparo ka çuar në pezullimin e të gjithë zinxhirit komandues të Komisariatit të Policisë në Himarë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra katër zyrtarë policorë, të cilët kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur është kryer ndërtimi i paligjshëm.
Sipas Policisë, në vendin e quajtur “Sugë”, në Qeparo, është konstatuar një objekt me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, i ndërtuar pa lejet përkatëse.
Për rastin është arrestuar shtetasi L. B., banues në Laç, ndërsa tre punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Himarë janë shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për kryeinspektorin dhe dy inspektorë, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Policia thotë se ndërtimi kishte nisur që në dhjetor të vitit 2025, por gjatë kësaj periudhe nga Komisariati i Policisë Himarë nuk ishin ndërmarrë masa për ndalimin e punimeve apo vënien para përgjegjësisë ligjore të personit që po ndërtonte objektin.
Pikërisht kjo ka nxitur pezullimin e menjëhershëm të katër zyrtarëve policorë dhe nisjen e procedurave disiplinore ndaj tyre.
Rasti tashmë është nën hetim, ndërsa autoritetet po verifikojnë përgjegjësitë e zyrtarëve që dyshohet se nuk kanë vepruar për të parandaluar ndërtimin pa leje.

