Telenews

Dyshohet se lëshoi 1,679 diploma pa trajnime, arrestohet një person në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar personin me inicialet I.Ç., nën dyshimin për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari, në cilësinë e pronarit dhe personit përgjegjës të një Qendre për Verifikim të Aftësive Profesionale në Prizren, dyshohet se ka lëshuar diploma profesionale për profesione të ndryshme, pa u zhvilluar trajnimet përkatëse teorike dhe praktike.

Hetimet kanë zbuluar dyshime se nga viti 2019 e deri më tani janë lëshuar rreth 1,679 diploma, ndërsa një diplomë dyshohet se kushtonte rreth 300 euro. Përfitimi nga kjo veprimtari dyshohet të ketë arritur në rreth 500 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, diplomat dyshohet se janë përdorur për punësim brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe për plotësimin e kritereve në procedura të ndryshme të prokurimit.

Gjatë kontrollit, i realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren dhe në bashkëpunim me inspektorët tatimorë, janë sekuestruar 333 diploma profesionale, dy kompjuterë, dy USB, tri vula të biznesit, një telefon mobil, 11 fletë me shënime për borxhe dhe pagesa, 630 euro para të gatshme dhe nëntë kartëvizita.

Prokuroria thotë se gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi që ngrenë dyshime se subjekti nuk ka qenë i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) dhe nuk ka qenë i autorizuar për ofrimin, vlerësimin dhe certifikimin e kualifikimeve profesionale.

I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa Prokuroria pritet të vlerësojë brenda afatit ligjor nëse do të kërkojë caktimin e masës për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale.

Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë bërë thirrje që çdo qytetar që dyshon se është mashtruar apo dëmtuar lidhur me pajisjen me diploma ose dokumente të aftësimit profesional nga ky subjekt, ta raportojë rastin në Prokurorinë Themelore në Prizren ose në stacionin më të afërt policor.

 

Të ngajshme

Aktorja e njohur që vdiq të dielën, ishte e fejuara e boksierit Klitschko

Yllka Gashi

Nis takimi Kurti – Abdixhiku, a do të kemi marrëveshje?

Yllka Gashi

Kurti arrin për takimin me LDK-në: Po shkojmë me pozitivitet

Yllka Gashi