Telenews

Aktakuzë ndaj 21 serbëve për krimet në Reçak – Prokuroria pretendon se u vranë 42 civilë dhe u dëbuan rreth 20 mijë persona –

Prishtinë – Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave, të cilët i akuzon për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare në Reçak, më 15 janar 1999.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, si pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, dyshohet se në bashkëkryerje morën pjesë në një operacion gjatë të cilit u vranë 42 civilë të Reçakut.

Sipas Prokurorisë, operacioni nisi rreth orës 06:00, me granatimin e fshatit nga pozicionet “Pishat”, “Gështenjat”, “Çesta” dhe “Guri i Shpumës”. Më pas, forcat serbe dyshohet se hynë në fshat me automjete të blinduara dhe nisën kontrollimin e shtëpive.

Në aktakuzë përshkruhen edhe raste konkrete të vrasjeve. Sipas Prokurorisë, në oborrin e shtëpisë së Rashit Rashit u vra Banush Kameri, ndërsa pretendohet se më pas atij iu pre koka.

Në vendin e quajtur “Vrella”, sipas aktakuzës, u vranë Haki Metushi, Sabri Syla dhe Arif Metushi. Ndërsa në oborrin e shtëpisë së tij u vranë Ahmet Mustafa dhe fqinji i tij, Hajriz Jakupi.

Prokuroria përshkruan edhe vrasjen e Skender Halilit dhe Hanumshahe Mujotës, ndërsa gjatë largimit të disa civilëve drejt malit, pretendohet se policia serbe hapi zjarr ndaj tyre, duke vrarë Halim, Riza dhe Zenel Beqirin. Në këtë rast, sipas aktakuzës, u plagosën Aziz, Zuhra dhe Fetije Beqiri.

Operacioni, sipas Prokurorisë, vazhdoi edhe në lagjen “Emini”, ku Ismet Emini u plagos në këmbë, ndërsa vëllai i tij, Ajet Emini, u vra.

Në aktakuzë pretendohet se gjatë operacionit në Reçak civilët u vranë, u keqtrajtuan dhe u torturuan, ndërsa u shkatërruan prona dhe u dëbuan banorët shqiptarë. Sipas Prokurorisë, rreth 20 mijë civilë nga Reçaku dhe fshatrat përreth u dëbuan.

Rasti po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa ndaj 21 të pandehurve është kërkuar zhvillimi i procedurës në mungesë.

Të gjitha të dhënat për vrasjet dhe veprimet e të pandehurve janë pretendime të Prokurorisë të paraqitura në aktakuzë. Fajësia e tyre duhet të vërtetohet përmes një vendimi gjyqësor.

Të ngajshme

Policia në Pejë shqipton 375 gjoba ndaj motoçiklistëve gjatë gushtit –

KushtrimGuraj

Don Xhoni thyen rekordin e radhës – albumi i ri i tij arrin 100 milionë dëgjime

Yllka Gashi

Ekzekutohen pagesat për masat aktive të tregut të punës dhe pushimin e lehonisë

Yllka Gashi