Telenews

Të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, arrestohen tre persona në Durrës, zbardhen identitetet

Tre persona janë arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi dyshohen se kanë shkaktuar dy zjarre në zonën e Ishmit dhe Shijakut.

Dy prej tyre dyshohet se shkaktuan zjarrin në Ishëm gjatë prerjes së tubave të hekurit, ndërsa personi i tretë akuzohet për zjarrvënie në fshatin Rreth, ku flakët dogjën tela të rrjetit elektrik dhe sipërfaqe me bimësi.

Në pranga janë vënë shtetasit Shaban Domi, Ilir Rika dhe Reshit Jaheshi.

Durrës/Zbardhen dy raste zjarrvënieje, arrestohen 3 persona të dyshuar si autorë.

Dy persona arrestohen pasi shkaktuan zjarrin në fshatin Ishëm, ndërsa një tjetër arrestohet për zjarrvënien në fshatin Rreth, Shijak.

Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimeve për dy raste zjarri në territorin e Durrësit, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe shkuan në ndihmë të shërbimeve zjarrfikëse për vënien nën kontroll dhe shuarjen e flakëve.

Në lidhje me zjarrin e rënë në një sipërfaqe toke bujqësore në fshatin Ishëm, nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasit I. R., 48 vjeç, dhe R. J., 59 vjeç, banues në Sukth, Durrës, gjatë kohës që ndodheshin në banesën e shtetasit S. L., në fshatin Ishëm, duke prerë tuba hekuri me gur fresibël, dyshohet se, si pasojë e shkëndijave të krijuara, kanë shkaktuar zjarrin.

Zjarri më pas është përhapur në sipërfaqen bujqësore përreth, duke përfshirë dhjetëra hektarë tokë, qindra pemë frutore dhe ullinj.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve I. R. dhe R. J., për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Gjithashtu, u identifikua dhe u arrestua shtetasi Sh. D., 44 vjeç, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Rreth, Shijak, ku, si pasojë, janë djegur tela të rrjetit elektrik dhe sipërfaqe me bimësi.

Materialet procedurale për të dyja rastet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi i rrjetit elektrik”.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos kryejnë veprime që mund të shkaktojnë zjarre, të cilat mund të sjellin pasoja të rënda për jetën dhe pronën e qytetarëve.

Në mënyrë të veçantë, Policia apelon për banorët që djegin mbetjet bujqësore apo pastrojnë territorin nëpërmjet djegies, që të mos kryejnë veprime të tilla, pasi do të përballen me përgjegjësi ligjore.

Policia fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.

 

Të ngajshme

Detaje të reja: Joz Marku u gjet i fshehur në tualetin e banesës së shokut të tij në momentin kur u arrestua

Rrezarta Ramaj

Këngëtari Art Abazi humb çantën personale, kërkon ndihmë për gjetjen e saj

Rrezarta Ramaj

Messi dhe Ronaldo ftohen në ndeshjen e lamtumirës së Carlos Tevez në “La Bombonera”

Rrezarta Ramaj