Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj ceremonisë së organizuar në Beograd për Ratko Mlladiqin, duke dënuar nderimet shtetërore dhe ushtarake të raportuara për ish-komandantin e forcave serbe, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte.
Në reagimin e Ministrisë thuhet se në ceremoninë për Mlladiqin morën pjesë ministra të Qeverisë së Serbisë, deputetë të partisë në pushtet, djali i presidentit serb, Milorad Dodik dhe ambasadori rus.
Veçanërisht është kritikuar prania e ministrit serb të Drejtësisë, Nenad Vujiq, për të cilin Ministria thotë se më herët kishte premtuar publikisht “nderime të larta shtetërore dhe ushtarake” për Mlladiqin.
“Ky njeri nuk duhet kurrë më të lejohet të ulet në asnjë tryezë ku përmendet fjala drejtësi”, thuhet në reagim.
Ministria e Drejtësisë ka kritikuar edhe Bashkimin Evropian për qasjen ndaj Serbisë, duke vlerësuar se toleranca e Brukselit ka ndikuar në normalizimin e mohimit të gjenocidit dhe glorifikimit të personave të dënuar për krime lufte.
“Në Bruksel flasin për sundimin e ligjit. Në Beograd shteti e kthen një të dënuar për gjenocid në figurë nderi”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, nderimi shtetëror i Mlladiqit paraqet “fyerje ndaj viktimave, përbuzje ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe akt të hapur të rehabilitimit politik të një ideologjie kriminale”.
“Këtë e dënojmë fuqishëm. E dënojmë pa ekuivok. Dhe nuk do ta normalizojmë kurrë”, përfundon reagimi.

