Pesë vetura janë përfshirë nga zjarri në fshatin Vlashnje të Prizrenit, ndërsa Policia e Kosovës ka identifikuar një person të dyshuar për rastin.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar për Sinjalin se zjarri është raportuar sot, rreth orës 13:00.
Sipas tij, menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipet e zjarrfikësve.
“Pas intervenimit të zjarrfikësve, zjarri është lokalizuar dhe shuar”, ka bërë të ditur Bytyqi.
Si pasojë e zjarrit, pesë vetura janë përfshirë nga flakët dhe kanë pësuar dëme.
Policia ka arritur ta identifikojë një person të dyshuar, ndërsa pas konsultimit me prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
I dyshuari është intervistuar nga organet e rendit dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti mbetet nën hetime.

