
Një vendim i ri i drejtësisë italiane mund të ndryshojë ndjeshëm dënimin për mekanikun Cristiano Mossali, i dënuar për vrasjen e 40-vjeçarit nga Kosova, N.R., në vitin 2022.
Gjykata e Kasacionit në Itali ka pranuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë së Përgjithshme dhe ka rrëzuar pjesërisht vendimin e Gjykatës së Apelit në Brescia, duke e rikthyer çështjen për shqyrtim në një tjetër gjykatë apeli.
Në qendër të rishqyrtimit do të jetë çështja e paramendimit. Gjykata e Apelit në Venecia do të duhet të përcaktojë nëse vrasja e N.R. është kryer me paramendim dhe, në varësi të këtij vlerësimi, të rishqyrtojë edhe masën e dënimit, shkruajnë mediat italiane transmeton Klankosova.tv
N.R., 40 vjeç, banues në Capriolo të Italisë, u vra në vitin 2022. Trupi i tij u dogj dhe më pas u fsheh në bagazhin e një automjeti SUV, ku u gjet më 29 gusht të po atij viti.
Sipas akuzës, Mossali e kishte qëlluar 40-vjeçarin në punishten e tij, pas një konflikti financiar mes tyre. Në qendër të përplasjes ishte një borxh prej rreth 30 mijë eurosh, të cilin mekaniku nuk kishte arritur ta shlyente.
Në shkallën e parë, Mossali u dënua me 27 vjet burg për vrasje me paramendim.
Vendimi u ndryshua më pas nga Gjykata e Apelit në Brescia, e cila e uli dënimin në 14 vjet burg, pasi nuk e konsideroi të provuar paramendimin dhe mori parasysh edhe rrethana lehtësuese.
Prokuroria e Përgjithshme e kundërshtoi vendimin e Apelit dhe iu drejtua Gjykatës së Kasacionit, duke kërkuar rishqyrimin e çështjes.
Me vendimin e fundit, Kasacioni nuk ka rrëzuar përgjegjësinë penale të Mossalit për vrasjen. Rishqyrtimi do të përqendrohet në mënyrë të veçantë te kualifikimi i veprës, pra nëse ajo duhet të konsiderohet vrasje e kryer me apo pa paramendim, si dhe te dënimi që rrjedh nga ky vlerësim.
Gjatë gjykimit të çështjes në Apel, Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm për Mossalin, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar pafajësinë dhe lirimin e tij nga akuzat.
Tashmë, vendimi përfundimtar për cilësimin juridik të vrasjes dhe masën e dënimit do të merret pas rishqyrtimit të çështjes nga Gjykata e Apelit në Venecia.

