Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka paralajmëruar mbajtjen e një konference për media, ku pritet të prezantojë qëndrimet dhe kërkesat e saj lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas njoftimit të kësaj qendre, vendimi i Dhomave të Specializuara i datës 16 shtator ka krijuar, siç thuhet, “një gjendje të jashtëzakonshme”, për të cilën organizata shpreh shqetësim lidhur me të ardhmen e shtetit të Kosovës.
Në njoftim bëhet e ditur se konferenca do të mbahet me qëllim të prezantimit të kërkesave drejtuar Presidentes së Kosovës, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Një nga kërkesat e paralajmëruara është që institucionet të shqyrtojnë vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, me arsyetimin e, siç deklarohet në njoftim, “shpërbërjes së Dhomave të Specializuara”, si dhe për të shmangur rrezikun e përmbysjes së rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Kosovë.
Konferenca për media do të mbahet sot, më 22 shtator, nga ora 15:00.

