Telenews

Vdiq në moshën 36-vjeçare, autopsia zbulon çfarë i shkaktoi vdekjen Hayden Panettiere –

Aktorja Hayden Panettiere vdiq si pasojë e efekteve toksike të fentanilit, Xanax-it dhe disa drogave të tjera që u gjetën në organizmin e saj, sipas autopsisë së përfunduar nga Zyra e Mjekut Ligjor të Qarkut Greenville në Karolinën e Jugut.

Zyra e mjekut ligjor tha se vdekja e Panettiere ishte aksidentale dhe se nuk u gjetën shenja traume që mund të kishin kontribuar në vdekjen e saj.

Panettiere vdiq muajin e kaluar, në moshën 36-vjeçare, pasi u gjet pa ndjenja në një banesë në Karolinën e Jugut, raporton BBC.

Aktorja e njohur për serialet televizive amerikane “Heroes” dhe “Nashville” kishte folur hapur për betejën e saj me abuzimin me substancat.

Në organizmin e saj u gjet edhe metokarbamoli, një relaksues muskulor që merret me recetë, si dhe kuetiapina, një medikament antipsikotik që përdoret për trajtimin e disa problemeve të shëndetit mendor. Fentanili është një opioid sintetik që vetëm gjatë pesë viteve të fundit ka shkaktuar vdekjen e qindra mijëra amerikanëve.

Zyra e mjekut ligjor tha se ekipet emergjente kishin “nisur masat e avancuara të mbështetjes kardiake, megjithatë përpjekjet për reanimim ishin të pasuksesshme”.

Agjencia amerikane për luftën kundër drogës (DEA) raportohet se ishte përfshirë në hetimin e policisë lokale për vdekjen e aktores.

Ish-i dashuri i Panettiere, Brian Hickerson, i cili ka pranuar se e kishte abuzuar, dhe vëllai i tij Zack, ndodheshin me Panettiere kur mbërritën shërbimet emergjente, sipas një raporti të policisë të hartuar ditën e vdekjes së saj.

Vetëm disa muaj para vdekjes, Panettiere kishte publikuar një autobiografi, në të cilën kishte rrëfyer në detaje problemet e saj me varësinë dhe depresionin pas lindjes.

Panettiere kishte treguar se ishte njohur me drogat rreth moshës 16-vjeçare, gjatë një paraqitjeje në tapetin e kuq për serialin “Heroes”, kur një anëtar i ekipit të saj profesional i kishte dhënë diçka që e quante “pilulë lumturie” për t’i dhënë energji.

“Nuk e kisha idenë se kjo nuk ishte diçka e përshtatshme apo se çfarë dere do të hapte për mua sa i përket varësisë”, kishte deklaruar ajo për revistën People. “Me kalimin e moshës, drogat dhe alkooli u bënë diçka pa të cilën pothuajse nuk mund të jetoja.”

Vëllai i Panettiere, Jansen, vdiq në moshën 28-vjeçare si pasojë e një problemi në zemër. Në librin e saj, Panettiere kishte zbuluar se edhe vëllai i saj kishte pasur probleme me abuzimin me substancat dhe se kishte përdorur heroinë dhe kokainë para vdekjes së tij.

Të ngajshme

Kënga “Mora fjalë” s’është më në YouTube, mësohet se kush kërkoi largimin e saj

KushtrimGuraj

Ylli Limani mysafir në natën e tetë të protestës “Jo në emrin tim”, flasin Leonora Jakupi dhe Resul Sinani

Yllka Gashi

Vali Corleone dënohet me 1 vit burgim me kusht

Yllka Gashi