Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili konstatoi se kuvendi është konstituuar pas afatit kushtetues 30-ditor, pa vendosur pasoja, por duke u kërkuar deputetëve që të zgjedhin edhe nënkryetarin e kuvendit nga grupi i dytë më i madh parlamentar, në këtë rast PDK-në, si dhe duke konstatuar se qeveria është e ligjshme, ndërsa afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor, për hulumtuesin në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, Kushtetuesja ka krijuar një standard të ri, duke shkaktuar disa kontradikta krahasuar me vendimet e kaluara.
“Çfarë shihet në këtë rast është se Gjykata Kushtetuese ka bërë një ndryshim serioz në jurisprudencën e saj, duke interpretuar nenin 67 të Kushtetutës, rregulloren e kuvendit dhe praktikat e mëhershme. Në disa aktgjykime, Gjykata Kushtetuese e ka thënë qartë se duhet të përmbushen të gjitha elementet thelbësore për t’u konstituuar kuvendi, ndërsa element thelbësor është zgjedhja e të gjithë nënkryetarëve”, tha Shala për rtv21
Hulumtuesi i zyrës ligjore në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, e quan të pazakontë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e kuvendit.
“Duket se ka një ndryshim të standardit të vitit të kaluar. Janë rillogaritur sa i përket vlefshmërisë së konstituimit të institucioneve”, tha Bugaku për rtv21
Gjykata Kushtetuese ka saktësuar se numërimi i afatit për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe, nëse brenda 60 ditësh nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Gëzim Shala nga IKD-ja vlerëson se kuvendi dhe qeveria vazhdojnë punën normalisht deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit.
“Nëse nuk zgjidhet presidenti deri më 6 tetor, vendi hyn në një territor të pashkelur kushtetues, sepse përfundon edhe afati i u.d. së presidentes”.
Ndërsa, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, vlerëson se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë një sqarim të ri, sepse afatet kushtetuese do të rrjedhin nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, pavarësisht nëse klasa politike nuk ka gatishmëri për t’i konstituuar institucionet.
“Kjo paraqet një situatë të re, sepse vitin e kaluar është sqaruar se konstituimi i kuvendit është akt kushtetues, nga i cili rrjedhin themelimi dhe konstituimi i organeve të tjera kushtetuese. Pra, edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit është llogaritur nga dita e konstituimit të kuvendit. Kurse tani, afati rrjedh pavarësisht nëse është konstituuar kuvendi”.
Ndërkohë, sot është caktuar të mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës. Nuk dihet nëse kryetarja e kuvendit, Albulena Haxhiu, do ta thërrasë seancën për zgjedhjen edhe të nënkryetarit të pestë, i cili i përket PDK-së.

