U.d. presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 23 martirët e familjes Deliu dhe dëshmorët e kombit, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli e Afrim Hajdaraj, të rënë më 26 shtator 1998 në Abri të Epërme, raporton Ekonomia Online.
Haxhiu ka thënë se familja Deliu ishte strehuar në mal për t’u shpëtuar sulmeve dhe granatimeve të forcave serbe, por ishte gjetur dhe vrarë nga afër.
“Mes të vrarëve kishte fëmijë, gra shtatzëna dhe të moshuar”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka përmendur edhe rastin e Diturie Deliut, e cila ishte vetëm gjashtëjavëshe kur u gjet e gjallë nën trupin e nënës së saj, pasi 22 anëtarë të familjes së saj ishin vrarë. Dituria jetoi edhe disa javë dhe vdiq më 19 nëntor 1998.
Haxhiu ka kujtuar edhe tre dëshmorët, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdaraj, të cilët, sipas saj, po luftonin për të mos lejuar depërtimin e forcave serbe te civilët e strehuar në malet përreth Abrisë.
“Veseli ishte mësues. Valdeti ishte ndër veprimtarët e hershëm të UÇK-së në Abri dhe kishte marrë pjesë në disa beteja para se të binte atë ditë. Me ta ishte edhe Arben Xhemajli, i cili mbeti i plagosur rëndë”, ka shkruar ajo.
Pas disa orësh luftimesh, sipas Haxhiut, Veseli, Valdeti dhe Afrimi ranë duke mbrojtur civilët.
Ajo ka ngritur shqetësimin se, 28 vjet pas masakrës së familjes Deliu, ende nuk ka persona të dënuar për këtë krim.
“Njëzet e tetë vjet më vonë, për masakrën e familjes Deliu askush nuk është dënuar. Krimi është dokumentuar, dëshmitarët kanë folur dhe dihet se cilat forca serbe vepruan në Abri”, ka shkruar Haxhiu.

