Telenews

Kurti: Zgjedhjet e reja janë të shmangshme, le të ulemi bashkë për zgjedhjen e presidentit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka bërë thirrje për bashkëpunim politik për zgjedhjen e presidentit të ri, duke thënë se zgjedhjet e reja mund të shmangen.

“Ne kemi një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por e dimë që ajo u shkel e u braktis nga 6 deputetë të saj, përkundër që ajo e kishte bekimin e kryesisë së partisë së tyre. Para nesh po sot kemi edhe 60 deputetë që t’i dhanë vendit president ose presidente të re. Përveç arritjes së një marrëveshjeje të re, edhe zgjedhja e presidentit është e mundshme. Rrjedhimisht, zgjedhjet e reja të përsëritura, të panevojshme, të kushtueshme, me pasoja të rënda, gjithsesi se janë të shmangshme”, tha Kurti.

Ai u bëri thirrje partive politike që të ulen së bashku dhe të gjejnë një zgjidhje për situatën e krijuar.

“Andaj, le të ulemi bashkë sepse zgjedhjet e reja, ndonëse do të shkaktoheshin si pasojë e dështimit për zgjedhjen e presidentit, sërish nuk do të ishin zgjedhje për president. Ato, përveçse pa Kuvend edhe një herë, këtë herë do të na linin edhe me paqartësi për ushtrimin e detyrës së presidentit. Ndërkaq, qeveria do të mbetet në detyrë”, u shpreh ai.

Kurti ka cituar më pas edhe pikën e tretë të deklaratës së miratuar në Kuvend.

“Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e të vërtetës plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës”, citoi Kurti.

Kryeministri tha se qytetarët presin më shumë përgjegjësi nga institucionet dhe se vendi nuk ka nevojë për kriza të reja politike.

“Qytetarët presin prej nesh më shumë përgjegjësi, ndërsa kanë nevojë për institucionet që të vazhdojnë punën, për ekonominë që të vazhdojë të rritet, për projektet që ecin përpara, ndërsa Kosova nuk e ka luksin të humbasë kohë në kriza të panevojshme. Duhet ta kuptojmë qartë: nuk kemi nevojë që të shkojmë pa ndërprerje, pa numër herë në zgjedhje vetëm për të arritur në pikën e njëjtë”, theksoi ai.

Sipas Kurtit, deklarata e miratuar në Kuvend ka hapur një kapitull të ri të bashkëpunimit të brendshëm.

“Me këtë deklaratë ne kemi hapur një kapitull të ri të bashkëveprimit e të bashkërendimit të brendshëm. Por secili proces zgjedhor është një kontekst i ri mbi të cilin duhet të reflektojmë. E kësaj here nuk do të prodhojë ndonjë rezultat ndryshe, por i kemi rrethanat e reja që kërkojnë përgjegjësi më të madhe shtetërore”, tha kryeministri.

Kurti ka kërkuar stabilitet institucional, duke thënë se Kosova ka nevojë për institucione funksionale për t’u përballur me përgjegjësitë që e presin.

“Në rrethanat e reja, shteti ynë më së paku do të duhej të kishte mbi shpatulla kërcënimin e zgjedhjeve të reja. Përkundrazi, vendit tonë më shumë se kurrë i duhet stabiliteti institucional, ashtu që të ketë mundësinë e marrjes së përgjegjësive që ka përpara me detyra e funksione të shumta, krijimit të një strategjie të përbashkët shtetërore, si dhe mbrojtjen juridike, ashtu edhe përballjen diplomatike ta kemi të suksesshme, pra triumfuese nëpër botë”, shtoi Kurti.

Të ngajshme

Kurti kërkon unitet politik për Specialen: Ekziston vullneti dhe mundësia për dakordim

Yllka Gashi

Vetëm 17 vjeç, mesfushori që SHBA-ja e mori nga Shqipëria vendos rekord me ekipin e Pochettinos

Rrezarta Ramaj

Qeveria miraton ndryshimet në projektligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave, Murati: Kushti i fundit për anëtarësimin në SEPA

Rrezarta Ramaj