Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë ka folur për vizitën e tij disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në kuadër të javës së nivelit të lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kurti tha se gjatë qëndrimit në New York zhvilloi takime me liderë e zyrtarë të lartë të shteteve mike të Kosovës, drejtues të institucioneve ndërkombëtare, si dhe me pjesëtarë të mërgatës.
“Mbrëmjen e së enjtes së 24 shtatorit unë u ktheva nga vizita disa ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të javës së nivelit të lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ishte vizitë e dendur përplot takime me liderë e zyrtarë të lartë të shteteve mikesha të vendit tonë sikurse edhe me drejtues të institucioneve ndërkombëtare, por natyrisht edhe me mërgatën tonë të çmuar në New York”, ka deklaruar Kurti.
Ai tha se gjatë takimeve në SHBA u diskutuan një sërë çështjesh që lidhen me Kosovën, duke përfshirë aktgjykimin në Hagë, personat e zhdukur gjatë luftës, çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si dhe tema që lidhen me ekonominë, zhvillimin, sigurinë dhe perspektivën euro-atlantike të Kosovës.
“Ngritëm një sërë temash e diskutimesh përfshirë aktgjykimin e padrejtë në Hagë, të zhdukurit me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shqiptarët e Luginës së Preshevës të cilët për herë të parë ishin pjesë e delegacionit shtetëror të Kosovës, sikurse biseduam edhe për ekonominë, për zhvillimin, për sigurinë, për mbrojtjen e për të ardhmen tonë euro-atlantike”, tha kryeministri.
Kurti u ndal veçanërisht te aktgjykimi i shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ai tha se gjatë secilit takim në New York ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me këtë aktgjykim, të cilin e konsideron të padrejtë.
“Në secilin takim në New York unë shpreha shqetësimin e thellë për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, i cili është i padrejtë juridikisht e moralisht dhe i pasaktë historicisht e faktikisht. Është e rëndësishme të dallohet ajo që është thënë e pretenduar nga ajo që është provuar dhe vendosur nga gjykata. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”, ka thënë Kurti.


