Telenews

Haxhiu i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese.

Në kërkesën e bërë ajo ka kërkuar sqarim se kush mund t’i ushtrojë kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit të saj gjashtëmujor, nëse kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri.

Këtë e konfirmoi zyra e presidentes në një përgjigje me shkrim më 6 tetor – në ditën kur skadon afati për zgjedhjen e presidentit të ri.

Sipas zyrës, Haxhiu e ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese më 5 tetor, duke u thirrur në nenin 113, paragrafi 3, nënparagrafi 1 i Kushtetutës.

“Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, tha zyra e presidentes për REL-in.

Kush do t’i shpallte zgjedhjet?

Çështja merr rëndësi të veçantë pasi, nëse Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin deri në përfundimin e afatit më 6 tetor, ai shpërndahet sipas Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese përcaktoi në mars se, nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit të caktuar, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Megjithatë, kjo krijon një paqartësi tjetër: kush do t’i shpallte zgjedhjet?

Kushtetuta ia njeh presidentit kompetencën për shpalljen e zgjedhjeve, ndërsa neni 90 përcakton se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për më shumë se gjashtë muaj.

Pikërisht kjo është një nga çështjet që Haxhiu i ka dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

“Kushtetuta këtë kompetencë ia njeh presidentit. Përcaktimi i autoritetit që mund ta ushtrojë atë në rrethanat e krijuara është një nga çështjet kryesore që ia kemi shtruar Gjykatës”, tha Zyra e Presidentes.

Sipas saj, qëndrimi i institucionit është se duhet të gjendet një zgjidhje kushtetuese që mundëson shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda afateve të përcaktuara.

Zyra e Presidentes thirret në “vijimësinë institucionale”

E pyetur nga REL-i se si e interpreton situatën e krijuar, Zyra e Presidentes tha se qëndrimi i saj mbështetet në parimin e “vijimësisë institucionale”.

“Dispozitat kushtetuese duhet të interpretohen në ndërlidhje, në mënyrë që përfundimi i një afati të mos e bëjë të pamundur përmbushjen e detyrimeve të tjera kushtetuese”, thuhet në përgjigje.

Sipas saj, pikërisht për të përcaktuar një zgjidhje që do ta garantonte këtë vijimësi brenda rendit kushtetues, çështja i është dërguar Gjykatës Kushtetuese.

Haxhiu po e ushtron detyrën e presidentes pas përfundimit të mandatit të presidentes së mëparshme, Vjosa Osmani, më 4 prill.

Kushtetuta përcakton shprehimisht se pozita e ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Gjykata Kushtetuese ende nuk ka bërë publik ndonjë vendim lidhur me çështjet e ngritura nga Haxhiu.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Gjykatës për të konfirmuar pranimin e kërkesës dhe për të marrë më shumë hollësi rreth trajtimit të saj dhe është në pritje të përgjigjes.

Të ngajshme

“Marrëveshja ka qenë, do të zbulohet shumë shpejt”, çka po paralajmëron Agim Bahtiri

Rrezarta Ramaj

Hamza: S’ka takim me Kurtin derisa të votohet ligji për Specialen, pastaj jemi të hapur

Rrezarta Ramaj

Përparim Rama reagon pas protestës: “Sheshi është i njëjti, qytetarët po ashtu”

Rrezarta Ramaj