Telenews

Kurti: Anëtarësimi në KE do t’u mundësonte qytetarëve qasje në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në Interpol do të forconte mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në luftimin e krimit, ka thënë kryeministri Albin Kurti në ceremoninë e hapjes së edicionit të 12-të të Shkollës Diplomatike për diplomatë të rinj, të organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kurti ka theksuar se integrimi më i madh ndërkombëtar mbetet i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, duke përmendur përfitimet që do të sillte anëtarësimi në këto dy organizata.

“Sidoqoftë, nuk duhet ta humbim nga vëmendja rëndësinë që integrimi më i madh ndërkombëtar do të kishte për qytetarët e Kosovës. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, për shembull, do t’u mundësonte të gjithë qytetarëve të Kosovës qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në sistemin më të gjerë evropian për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ndërkaq, anëtarësimi në Interpol do t’u mundësonte institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë të shkëmbenin informacione dhe të bashkëpunonin në kohë reale me forcat policore në mbarë botën, duke forcuar aftësinë tonë për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur krimit ndërkufitar”, tha ai.

Ai ka vlerësuar se, përmes diplomacisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut, Kosova ka kaluar nga sfidat e para të ndërtimit të shtetit drejt një pjesëmarrjeje më aktive në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

“Përmes diplomacisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut, kemi kaluar nga sfidat fillestare të ndërtimit të shtetit drejt shndërrimit në një pjesëmarrës aktiv në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare. Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian po vazhdon, ndërsa tashmë dy vjet qytetarët e Kosovës po udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shengen”, tha ai.

Kurti ka thënë se temat që po e formësojnë politikën ndërkombëtare, përfshirë paqen dhe sigurinë, sovranitetin, zhvillimin, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, kanë përcaktuar në masë të madhe edhe përvojën e Kosovës si shtet.

“Fakti që ky program po organizohet tashmë prej dymbëdhjetë vjetësh pasqyron interesimin dhe përkushtimin e një gjenerate diplomatësh, të cilët janë të gatshëm të angazhohen për përballimin e sfidave globale dhe të kontribuojnë në gjetjen e zgjidhjeve për to. Kosova është një vend i shkëlqyer për këtë shkëmbim përvojash. Shumë nga çështjet kryesore që po e formësojnë sot politikën ndërkombëtare, si paqja dhe siguria, sovraniteti dhe zhvillimi, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit, e drejta ndërkombëtare dhe roli i shteteve të vogla në rendin botëror në ndryshim, kanë përcaktuar në masë të madhe përvojën e Kosovës si shtet”, tha ai.

Ndërkaq, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka folur për transformimin e Kosovës nga një vend ku ishte i pranishëm komuniteti ndërkombëtar në një shtet që përfaqësohet në botë përmes misioneve të veta diplomatike dhe konsullore.

“Kosova ka një marrëdhënie të veçantë me diplomacinë dhe komunitetin ndërkombëtar. Jo shumë kohë më parë, ne ishim një popull që jetonim nën administrimin e Kombeve të Bashkuara. Përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe shumë organizatave e misioneve të tjera ndërkombëtare, një pjesë e madhe e botës ishte e pranishme këtu”, tha ai.

“Sot, në vitin e 15-të pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është vetë e pranishme në mbarë botën, përmes më shumë se 50 misioneve diplomatike dhe konsullore në mbi 30 vende të botës. Ky transformim është ndoshta një nga mënyrat më të mira për ta kuptuar rrugëtimin e vendit tonë”, tha ai.

Drejtoresha e Akademisë Diplomatike të Kosovës, Mirjeta Behluli, ka theksuar rëndësinë e përgatitjes profesionale të zyrtarëve të shërbimit të jashtëm, ngritjes së kapaciteteve dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Akademia Diplomatike ka misionin dhe përgjegjësinë institucionale për të mbështetur përgatitjen dhe zhvillimin profesional të zyrtarëve të shërbimit të jashtëm. Në këtë drejtim, ne i kushtojmë rëndësi të veçantë ngritjes së kapaciteteve, avancimit të aftësive diplomatike dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha ajo.

Behluli ka bërë të ditur se Akademia ka nënshkruar më shumë se 45 memorandume mirëkuptimi me akademi diplomatike dhe institucione partnere në mbarë botën. Ajo ka vënë në pah rëndësinë e diplomacisë strategjike për shtetet e vogla.

“Deri më sot, kemi nënshkruar më shumë se 45 memorandume mirëkuptimi me akademi diplomatike dhe institucione partnere në mbarë botën. Për shtetet e vogla, diplomacia është thelbësore. Madhësia nuk duhet ta përcaktojë ndikimin. Ajo që ka rëndësi është aftësia për të ndërtuar partneritete, për të kultivuar besimin dhe për ta përdorur diplomacinë në mënyrë strategjike”, tha ajo.

Të ngajshme

Çitaku, Marta Kos-it: Kosova kërkon drejtësi, jo t’i ikë asaj

Rrezarta Ramaj

“Radio Policia e Kosovës” – KPM-ja miraton transmetimin eksperimental

Rrezarta Ramaj

“Mbaje kokën lart”, vajza e Eli Fares ka një mesazh për të ëmën

Rrezarta Ramaj