Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Margus Tsahkna, në kuadër të Forumit të Sigurisë në Varshavë, ku në fokus të diskutimeve ishte perspektiva evropiane e Kosovës dhe siguria në Ballkanin Perëndimor.
Përmes një postimi, Konjufca bëri të ditur se me ministrin estonez është takuar për herë të parë në vitin 2024, duke vlerësuar se bisedimet me të janë gjithmonë të hapura dhe të drejtpërdrejta.
Postimi i plotë:
Në kuadër të Forumit të Sigurisë në Varshavë, kisha kënaqësinë të takoj përsëri Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Margus Tsahkna.
Me ministrin Tsahkna u takuam për herë të parë në vitin 2024. Bisedat me të janë gjithmonë të hapura e të drejtpërdrejta, po aq sa është e qartë mbështetja e tij për Kosovën.
Estonia është një shembull i veçantë se si përvoja historike e një populli mund të shndërrohet në vetëdije për lirinë dhe në aftësi për ta mbrojtur atë. Sot, këtë e dëshmon edhe përmes rolit të saj prijës në qeverisjen digjitale dhe sigurinë kibernetike.
Në qendër të bisedës sonë ishte perspektiva evropiane e Republikës së Kosovës, e lidhur ngushtë me sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Kërcënimet që burojnë nga Serbia, veprimet hibride dhe ndikimi keqdashës rus na kujtojnë se paqja nuk është një gjendje që mund të merret si e mirëqenë, por një përgjegjësi që kërkon angazhim të vazhdueshëm. Integrimi evropian i Kosovës është pjesë e forcimit të kësaj paqeje dhe të sigurisë së vetë Evropës.
Mbështetja e Estonisë për Republikën e Kosovës ka qenë dhe mbetet e qartë. E falënderova ministrin Tsahkna për miqësinë dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe për vullnetin e përbashkët për ta thelluar bashkëpunimin mes vendeve tona.

