Telenews

Gratë ndërmarrëse nga rajoni bashkohen në Prishtinë për mundësi të reja biznesiGratë ndërmarrëse nga rajoni bashkohen në Prishtinë për mundësi të reja biznesi

Në Prishtinë është organizuar edicioni i katërt i Konferencës Rajonale për Gratë Ndërmarrëse dhe Takimeve B2B, SHE RISES REGIONAL 2026, e organizuar nga Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës (G7), me pjesëmarrjen e mbi 400 bizneseve në pronësi apo të udhëhequra nga gratë, përfaqësuesve të qeverive, institucioneve financiare dhe partnerëve ndërkombëtarë, raporton Ekonomia Online.

Presidentja e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, Aferdita Kelmendi, në fjalën e saj hyrëse, fillimisht iu referua rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt, duke theksuar se siguria dhe dinjiteti i grave janë parakushte themelore për fuqizimin e tyre.

“Pas minutës së heshtjes që na bashkoi në dhimbje dhe reflektim, është e pamundur të flasim për fuqizimin e grave pa menduar për kuptimin e vërtetë të tij. Tragjedia e Arlindës na kujton se një shoqëri nuk mund të pretendojë se po e fuqizon gruan, nëse nuk arrin t’ia garantojë të drejtën më themelore të jetojë e sigurt, e lirë dhe me dinjitet”, theksoi ajo.

Ndërsa, duke folur për rëndësinë e fuqizimit ekonomik të grave, Kelmendi theksoi se kontributi i tyre në shoqëri nuk përcaktohet vetëm nga pozita profesionale apo suksesi në biznes.

“Por fuqizimi i gruas nuk fillon dhe as nuk përfundon me një pozitë profesionale, një biznes të suksesshëm apo një funksion të lartë shtetëror. Gruaja që kujdeset për familjen, ajo që punon në një fabrikë, mësuesja që edukon breza, profesionistja që ndërton karrierë, ndërmarrësja që krijon vende pune, ministrja apo presidentja që merr vendime për vendin, secila në mënyrën e vet është pjesë e themelit mbi të cilin qëndron dhe zhvillohet shoqëria. Puna e gruas nuk fillon kur ajo hyn në tregun e punës dhe vlera e saj nuk përcaktohet nga pozita që mban. Prandaj, kur flasim për fuqizimin ekonomik të grave, nuk po flasim vetëm për më shumë biznese në pronësi të tyre, por flasim për një shoqëri që e njeh kontributin e gruas, e respekton lirinë e saj dhe i krijon mundësi reale për pavarësi ekonomike. Sepse pavarësia ekonomike nuk është vetëm mundësi për të fituar, është edhe liri për të zgjedhur, për të vendosur dhe për të ndërtuar jetën përmes. Dhe pikërisht kjo është fryma që na bashkon sot”, ka thënë ajo.

“Në emër të Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës, G7, kam kënaqësi dhe nderim t’ju uroj mirëseardhje në edicionin e katërt të Konferencës Rajonale për Gratë Ndërmarrëse dhe Takimeve B2B. Sot në këtë sallë na janë bashkuar mbi 400 biznese në pronësi të grave, apo të udhëhequra nga gratë, përfaqësues të qeverive, institucioneve financiare dhe partnerë ndërkombëtarë. Jemi këtu për të krijuar mundësi të reja ekonomike. Kjo konferencë fton t’i kthejë takimet në partneritete dhe ide në mundësi konkrete biznesi. Ekonomia globale po ndryshon me shpejtësi. Teknologjia, inteligjenca artificiale, tranzicioni digjital e i gjelbër dhe pasiguria e tregjeve po ndryshojnë mënyrën se si punojmë dhe konkurrojmë. Gratë ndërmarrëse janë pjesë e këtij transformimi, por shpesh përballen me pengesa shtesë: qasje më të vështirë në financim, mundësi më të kufizuara investimi dhe përfaqësim më të vogël në sektorët me vlerë të lartë ekonomike. Nuk mjafton të kemi më shumë gra që hapin biznese, duhet të kemi më shumë gra që i rrisin ato, që eksportojnë dhe konkurrojnë përtej tregut vendor. Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, të shikuara veçmas, kanë tregje relativisht të vogla, por së bashku krijojnë një hapësirë shumë më të madhe mundësish. Kufijtë tanë nuk duhet të jenë kufij të ambicieve tona ekonomike. Një ndërmarrëse nga Prishtina duhet ta shohë Tiranën, Shkupin apo Podgoricën si mundësi të natyrshme për zgjerimin e biznesit të saj. Duke shkëmbyer ekspertizë dhe duke zhvilluar produkte të përbashkëta, mund të hyjmë në tregje të reja. Diaspora është një urë e rëndësishme drejt kapitalit dhe teknologjisë”, tha ajo.

Kurse, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, në fjalën e tij u ndal te sfidat me të cilat përballen gratë sipërmarrëse, veçanërisht në qasjen në financa dhe tregje, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.

“Megjithatë, shumë gra sipërmarrëse ende përballen me vështirësi në qasjen në financa, rrjete biznesi dhe tregje, si dhe në mundësitë për të marrë pjesë në vendimmarrje. Këto sfida janë veçanërisht të rëndësishme në ekonomitë më të vogla, ku rritja e biznesit shpesh varet nga arritja e klientëve dhe partnerëve përtej tregjeve vendase. Bashkëpunimi rajonal ofron një mundësi për ta ndryshuar këtë. Përmes CEFTA-s dhe nismave të tjera rajonale, Ballkani Perëndimor po punon për të hequr barrierat tregtare dhe për të krijuar një treg rajonal më të integruar. Kjo duhet të përkthehet në përfitime konkrete për bizneset e drejtuara nga gratë: qasje më e lehtë në tregjet fqinje, klientë të rinj dhe partneritete më të forta biznesi. Vetë gratë sipërmarrëse kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur. Duke u lidhur tej e mbanë kufijve, ato mund të shkëmbejnë përvoja, të identifikojnë sfida të përbashkëta dhe të avokojnë së bashku për politika që i përgjigjen nevojave të tyre”, deklaroi ai.

“Fuqizimi ekonomik i grave është në zemër të agjendës ekonomike dhe tregtare të rajonit. Avancimi i barazisë forcon konkurrueshmërinë, inovacionin dhe rritjen ekonomike. Kjo është po aq e rëndësishme për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Për krah reformave legjislative dhe institucionale, Kosova ka nevojë për një ekonomi konkurruese dhe gjithëpërfshirëse në të cilën gratë dhe burrat kanë mundësi të barabarta për të kontribuar dhe për të pasur sukses. Bashkimi Evropian mbështet Kosovën në ndërtimin pikërisht të një ekonomie të tillë. Si partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare, BE-ja mbështet sipërmarrjen, inovacionin, zhvillimin e aftësive dhe qasjen në financa, përfshirë edhe për bizneset e udhëhequra nga gratë”, tha ai.

Ndërsa, shefi i Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Kosovë, Sergiy Maslichenko, foli për programet financiare dhe këshillat e biznesit që institucioni ofron për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht për ato të udhëhequra nga gratë.

“BERZH-i është i njohur mirë për sjelljen e financave. Siç e dini, ne jemi shumë aktivë në financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) dhe veçanërisht NVM-ve të drejtuara nga gratë. Ne zbatojmë një sërë programesh, dhe së fundmi jam shumë i lumtur që dy ditë më parë nënshkruam një program të ri me Bankën TEB, e cila është partner këtu. Në fakt, TEB ishte e para; ajo e nisi këtë program 12 vjet më parë, dhe tani jemi krenarë të shohim rezultatet. Jam shumë krenar që shoh në këtë sallë edhe sipërmarrës dhe kompani që kemi mbështetur, si Digital School, Ancors Up, Grand Decor, Xeho, Academia Evolucion, Barza Cake dhe të tjerë. Dhe këto biznese përfaqësojnë sektorë shumë të ndryshëm, nga IT te prodhimi i drurit, moda dhe ushqimi, por ato ndajnë një karakteristikë të rëndësishme: ambicien për t’u rritur. Dhe siç e dini, BERZH-i nuk është vetëm financë; ne ofrojmë gjithashtu këshilla biznesi. Për ne, është e rëndësishme që gratë sipërmarrëse të ndërtojnë biznese më të fuqishme, të lidhen përtej kufijve dhe të kenë qasje në tregje të reja. Dhe kjo është arsyeja pse sesioni B2B i sotëm është kaq i rëndësishëm. Ju inkurajoj ta përdorni atë jo thjesht për të shkëmbyer kontakte, por për të filluar biseda reale dhe për të diskutuar ide biznesi. BERZH-i është krenar që është pjesë e këtij udhëtimi dhe vazhdon të mbështesë sipërmarrësit me financa, njohuri dhe qasje në rrjete dhe tregje”, theksoi ai.

E, ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Republikën e Kosovës, Astrid de Vries, prezantoi përvojën holandeze në mbështetjen e grave sipërmarrëse, duke vënë në pah rëndësinë e krijimit të mekanizmave që u mundësojnë atyre qasje më të lehtë në financa dhe rrjete biznesi.

“Do të doja të ndaja disa mësime praktike nga Holanda se si ne i mbështesim gratë sipërmarrëse dhe çfarë na duhet ende të përmirësojmë. Sepse në Holandë, sipërmarrësit mund të marrin këshilla nga Dhoma e Tregtisë dhe shërbimet e tyre qeveritare. Ata gjithashtu mund të aplikojnë për skema publike që ndihmojnë bizneset të marrin kredi, përfshirë kur nuk kanë mjaftueshëm kolateral. Ka programe mentorimi, rrjete rajonale biznesi që mund t’i ndihmojnë ata të takojnë këshilltarë, ekspertë, investitorë potencialë. Por përvoja tregon se mbështetja që është e hapur për të gjithë nuk arrin gjithmonë te të gjithë në mënyrë të barabartë. Dhe në Holandë u pranua se ishte e nevojshme një përpjekje shtesë për të arritur dhe mbështetur gratë sipërmarrëse. Dhe kjo është arsyeja pse organizatat publike dhe private në Holandë u bashkuan dhe krijuan atë që quhet Kodi V. V është për gratë, vrouëen në holandisht. Kjo bashkon më shumë se 130 organizata, përfshirë organet qeveritare, bankat, grupet e biznesit, dhe ato vërtet punojnë së bashku për të përmirësuar qasjen e grave në financa, në njohuri dhe në rrjete. Ajo që bëjnë gjithashtu është se mbledhin informacion dhe lidhin gratë sipërmarrëse me financues të mundshëm. Dhe pse u desh kjo? E po, një studim i qeverisë holandeze zbuloi se gratë që kishin nevojë për financim kishin më pak gjasa se burrat të aplikonin për të. 47% e grave e bënë këtë, krahasuar me 59% të burrave. Por, gjithashtu çuditërisht për mua në fakt, kur gratë aplikuan, shkalla e tyre e miratimit ishte pothuajse e barabartë me atë të burrave. 89% e grave dhe 90% e burrave i morën propozimet e tyre të miratuara. Kjo sugjeron se një hap i rëndësishëm është të ndihmohen gratë të gjejnë financim, të gjejnë fondet e duhura dhe të jenë gati gjithashtu për të aplikuar”, tha ajo.

Të ngajshme

Shiroka-Pula: Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit shpëton jetë

Rrezarta Ramaj

Vazhdojnë protestat në Podujevë/ Xhemati kundërshton emërimin e imamit nga Bashkësia Islame

Rrezarta Ramaj

Osmani: Në Oxford Union, historia e Kosovës u dëshmua aty ku dëgjohen zërat e botës

Rrezarta Ramaj