Telenews

Paga e 13-të, koeficienti 120 euro dhe shtesat për fëmijë, çfarë parasheh buxheti 2027

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Projektbuxheti për vitin 2027 parasheh rritjen e koeficientit të pagave nga 110 në 120 euro, duke filluar nga 1 korriku i vitit të ardhshëm.

Gjatë mbledhjes së nëntë të Qeverisë së Kosovës, Kurti ka deklaruar se përveç rritjes së koeficientit, nëpunësit publikë do të përfitojnë edhe pagën e 13-të, e cila është planifikuar të ekzekutohet në gjysmën e parë të vitit 2027.

“Njësoj sikurse sivjet, buxheti i 2027 parasheh edhe në vitin tjetër pagën e 13-të, dhe krahas saj edhe rritjen e koeficientit të pagave në 120 euro nga data 1 korrik 2027. Pra, në pjesën e parë të vitit paga e 13-të, kurse në pjesën e dytë të vitit rritje e pagës për të gjithë nëpunësit që marrin pagë nga buxheti”, ka deklaruar Kurti.

Sipas kryeministrit, me këto ndryshime buxheti për paga do të arrijë në 1 miliard e 85 milionë euro.

Ai ka thënë se kjo shumë, kur pjesëtohet me rreth 85 mijë punonjës publikë, paraqet një pagë mesatare vjetore bruto prej mbi 12 mijë eurosh, apo mbi 1 mijë euro bruto në muaj.

Kurti ka theksuar se rritja e pagave nuk do të ndalet me ndryshimin e planifikuar për vitin e ardhshëm, por do të vazhdojë edhe në vitet pasuese, në përputhje me rritjen ekonomike.

Kurti ka bërë të ditur se nga 1 janari 2027 do të nisë rritja graduale e shtesave për fëmijë, me 25 për qind çdo vit, deri në dyfishimin e tyre brenda mandatit.

Sipas planit të prezantuar, rritja do të realizohet në katër faza: në janar të vitit 2027, 2028, 2029 dhe 2030.

Si shembull, Kurti tha se një familje me dy fëmijë, që aktualisht merr 60 euro në muaj, nga janari do të përfitojë 75 euro. Ndërsa një familje me katër fëmijë, që aktualisht merr 104 euro, do të marrë 225 euro.

Kryeministri ka njoftuar gjithashtu se me projektbuxhetin e vitit 2027 është paraparë rritja e mbështetjes financiare për ekipet mbrojtëse të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, sipas kërkesës së paraqitur nga ekipet e tyre mbrojtëse.

Ai tha se për pjesën tjetër të angazhimit dhe mbështetjes pritet edhe strategjia nga grupi punues i kryesuar nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit, ai ka folur edhe për performancën ekonomike të vendit, duke bërë të ditur se ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.

REKLAMË

Ndërkaq, Projektbuxheti për vitin 2027 është paraparë të jetë 4.27 miliardë euro, apo 200 milionë euro më shumë se buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe 300 milionë euro më shumë se buxheti fillestar i këtij viti.

Nga kjo shumë, 908 milionë euro janë planifikuar të ndahen si financim direkt për komunat e Kosovës.

Kurti e ka cilësuar këtë si buxhet rekord për komunat, duke thënë se rritja vjen si rezultat i shtimit të vazhdueshëm të granteve qeveritare.

Të ngajshme

Ministria e Arsimit shfuqizon vendimin e Këshillit Drejtues për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Ferizajt

Rrezarta Ramaj

Ankimoi masën e ‘arrestit në shtëpi’, shtyhet për nesër seanca në Apelin e GJKKO-së për ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni!

Rrezarta Ramaj

Rikthehet Neueri, Bayerni publikon listën e lojtarëve për ndeshjen ndaj Atleticos

Rrezarta Ramaj