Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka vizituar sot Kombëtaren e Kosovës në futboll, ku është pritur nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, stafi teknik dhe futbollistët.
Ajo është pritur nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, dhe përzgjedhësi Franco Foda.
Gjatë takimit, Ademi e ka uruar Shiroka-Pulën për marrjen e detyrës së presidentes, ndërsa ajo ka falënderuar futbollistët për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Presidentja i ka cilësuar “Dardanët” si ambasadorët më të mirë të vendit, duke vlerësuar talentin, përkushtimin dhe sukseset e tyre.
Shiroka-Pula gjithashtu u ka uruar suksese në dy ndeshjet e ardhshme, kundër Izraelit në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe Irlandës në udhëtim.
Ajo ka përshëndetur edhe tre futbollistët që janë ftuar për herë të parë në Kombëtaren e Kosovës.
Në fund të takimit, Agim Ademi i ka dhuruar presidentes fanellën zyrtare të Kombëtares, si simbol të përfaqësimit dhe krenarisë shtetërore.

