Albin Kurti nuk e tha sot asnjë fjalë për koncertin në Bruksel, ku u interpretua melodia e një kënge serbe që e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë.
Në adresimin e kryeministrit, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, nuk u përmend fare ky skandal.
Shefi i ekzekutivit foli për vizitat e tij zyrtare në Francë e Irlandë, ku tha se “theksoi përkushtimin ndaj të ardhmes tonë euroatlantike.”
Megjithatë, në anën tjetër, pati reagime të ashpra ndaj Bashkimit Evropian.
Në mbrëmjen e Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të organizuar nga Komisioni Evropian, krahas pjesëve muzikore nga vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, u interpretua edhe melodia e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”.
Teksti i këngës përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe kundërshton heqjen dorë prej saj.
Gjatë koncertit, megjithatë, nuk u kënduan vargjet e këngës.
U interpretua vetëm melodia, ndërsa titulli u shfaq në ekran, sipas dëshmive të pjesëmarrësve
Në një prononcim për gazetarët, gjatë ditës së sotme, Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos ka shprehur keqardhjen, duke ua ka lënë fajin muzikantëve për përzgjedhjen e melodisë.
Kos shtoi se në asnjë mënyrë, ajo çka ndodhi nuk pasqyron qëndrimet e Komisionit Evropian.

