Përfaqësuesi i iniciativës qytetare “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka paralajmëruar se do të organizojnë protesta nëse vazhdon, siç e ka quajtur ai, heshtja e institucioneve vendore dhe atyre evropiane ndaj shqetësimeve të tyre
Pas aksionit simbolik dhe konferencës për media para zyrës së BE-së në Kosovë, Haziri tha se iniciativa do ta shfrytëzojë të drejtën për protestë sa herë që e vlerëson të nevojshme.
“Këtë e ruajmë, e do ta shfrytëzojmë çdo herë që do të ketë nevojë për to, edhe besoj që nëse vazhdohet me këtë heshtje, gjithashtu institucionalen, po edhe këtë heshtje të institucioneve evropiane, pra ne nuk do t’i lejojmë edhe nuk do të mundemi të qëndrojmë të heshtur, do ta shfrytëzojmë të drejtën tonë për protestë”, tha ai.
Haziri foli edhe për Projektligjin për Dhomat e Specializuara, i cili është rikthyer në Kuvend, duke thënë se pret që ai të votohet dhe të procedohet. Ai tha se iniciativa ka mbështetjen e qytetarëve dhe se do ta mbrojë këtë ligj, ndërsa shtoi se nëse vlerësohet e nevojshme, mund të shqyrtohen edhe ndryshimet në të.
“Jo, dihet, dihet që do të votohet Ligji për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për mbrojtjen e saj do të votohet. Po, kemi garancë nga zëri i qytetarëve, edhe këtë ligj e kemi fituar, edhe këtë ligj, nëse është e nevojshme, do ta mbrojmë. Po, nëse vlerësojnë që nuk duhet të ndryshohet, ne kemi thënë, po përsëriten prapë, nëse vlerësohet që duhet të ndryshohet diçka, shpresojmë që ta ndryshojmë. Nëse duhet të mos ndryshohet, atëherë ligji të votohet e të procedohet”, tha ai.

