Qendra Klinike Universitare e Kosovës njofton se ka përfunduar verifikimin e pronësisë së oborrit. Së shpejti do të nisë lirimin e hapësirave të uzurpuara dhe rrënimin e objekteve pa leje.
Komisioni i posaçëm i QKUK-së, i formuar në mars të këtij viti, ka verifikuar gjendjen pronësore në bashkëpunim me Drejtorinë e Kadastrit të Komunës së Prishtinës, përmes ortofotove dhe planeve kadastrale. Sipas të dhënave kadastrale, brenda oborrit të QKUK-së nuk figuron asnjë pronë private.
“QKUK-ja u ka dërguar dy njoftime zyrtare shfrytëzuesve të lokaleve afariste dhe kioskave, duke u kërkuar të dëshmojnë bazën ligjore për shfrytëzimin e këtyre hapësirave. Asnjëri prej tyre nuk ka paraqitur certifikatë pronësie apo dëshmi se objekti është në proces legalizimi. Ndër dokumentet e dorëzuara ka pasur kontrata të skaduara dhe aktvendime të paregjistruara në kadastër”, thuhet në njoftimin për media.
Në njoftim thuhet se vendosmëria e QKUK-së është mbështetur edhe në terren nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), i cili gjatë inspektimeve të ditëve të fundit i ka vërtetuar konstatatimet e lartëcekura.
“Me konfirmimet kadastrale dhe rekomandimet zyrtare si nga Inspektorati Komunal, ashtu edhe nga ai i MMPHI-së, menaxhmenti i QKUK-së tashmë ka në dorë të gjitha instrumentet ligjore dhe do t’i përdorë për t’ua kthyer pacientëve e qytetarëve pronën publike”, thuhet në njoftim.

