Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Qeveria ende nuk është e gatshme që ta trajtojë çështjen e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gashi, thotë se veteranët janë detyruar të lenë vendin e punës duke mbetur pa shpresë dhe të ardhme.
“Qeveria nuk është e gatshme ta trajtojë në esencë çështjen e veteranëve që dhanë gjithçka për vendin. Sot, ata janë të detyruar që të lënë vendet e punës për të marrë një kompensim mëshire, duke mbetur pa shpresë dhe pa të ardhme”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Sipas Gashit, rreth 35 mijë njerëz janë nxjerrë nga tregu i punës ndërsa, nga ana tjetër po ikin shumë njerëz nga vendi.
“Rreth 35 mijë njerëz janë nxjerrë nga tregu i punës, duke i pasivizuar ata efektin ekonomik dhe social e kemi bërë negativ. Nuk duhet të harrojmë se, në njërën anë po na ikin njerëz nga vendi e në anën tjetër janë nxjerrë gjithë këta njerëz nga tregu i punës”.
Ai tha se duhet të trajtohet problemi dhe jo të pasivizohet një pjesë vitale e shoqërisë.
Ai shtoi se veteranët dhe kategoritë tjera sociale duhet të bëhen pjesë aktive e shoqërisë.
Ditë më parë, veteranët e UÇK-së kanë organizuar protestë para Kuvendit të Kosovës për shkak se qeveria nuk i ka përfshirë në Projektligjin për paga.
Në mbështetje të veteranëve ka dalur edhe opozita.
Seanca e mbajtur në Kuvend e cila kishte në rend dite votimin e këtij Projektligj, përfundoi pa korum për shkak se deputetët opozitar e lëshuan sallën.