Në shënimin e Ditës Botërore të Refugjatëve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk beson që mund të ketë demokraci pa sundim të ligjit dhe pa të drejta të njeriut, e të drejtat e njeriut, duhet të dëshmohen më së shumti pikërisht tek refugjatët, që janë njerëz, por nuk janë qytetarë të Republikës së caktuar.
Në fjalën e tij të mbajtur në aktivitetin e organizuar nga Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), Kurti tha se të pranosh dhe të ndihmosh refugjatë nuk mund të konsiderohet sukses, sepse kjo nënkupton që diku ka luftë, ka krime e pabarazi.
Por, megjithatë ai është shprehur krenar që vendi ynë ndër vite ka hapur dyert për dhjetëra e mijëra refugjatë, duke u ofruar atyre kujdes e mirëqenie në një periudhë të vështirë të jetës së tyre.
“Së fundmi kemi pranuar afër 1500 refugjatë nga Avganistani dhe rreth pesë për qind prej tyre ende ndodhen ne Kosovë. Dhe kemi shprehur gatishmërinë që të pranojmë 5000 refugjatë nga Ukraina dhe për 20 gazetarë, katër prej të cilëve tashmë janë bërë banorë të kryeqytetit”, ka thënë Kurti.
Me këtë rast, Zyra e UNHCR-së në Prishtinë ka përshëndetur shefin e misionit, Erol Arduç, i cili e përfundon mandatin muajin e ardhshëm.
Kurti ia ka shprehur Arduç mirënjohjen dhe falënderimin e thellë për punën, angazhimin dhe kontributin e tij për strehimin e refugjatëve.

