Data 5 korrik është caktuar si datë për konferencën para apelit për rastin e Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucatit.
Sipas urdhrit të saj, të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), gjatë kësaj konference, kryetarja do të ftojë për parashtrime nga palët dhe/ose zyrën administrative, sipas rastit, lidhur me paraburgimin e të akuzuarve në pritje të ankesës, duke përfshirë gjendjen e tyre mendore dhe fizike, në përputhje me rregullën 178 të Rregullores, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj më 18 maj u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 4 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë në shumën prej 100 euro, për veprat penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

