Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që Ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli të autorizohet nga presidentja Osmani për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).
Kjo është bërë e ditur nga Qeveria e Kosovës, përmes një njoftimi për media.
“Vendimi miratuar në këtë mbledhje, ka të bëjë me Projektin “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”, për autorizim të Ministres së Ekonomisë nga Presidentja e Republikës së Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes së bashkëfinancimit dhe Marrëveshjes për implementimin e Projektit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Sipas Qeverisë, është përfunduar me sukses negocimin e Marrëveshjes së Bashkëfinancimit dhe Marrëveshjes për Implementimin e projektit “Kompakti i Sfidave të Mijëvjeçarit”.
Tutje në njoftimin e Qeverisë thuhet se objektivi kryesor i këtij projekti është sigurimi i stabilitetit të furnizimit me energji elektrike në Kosovë si dhe punësimit të grave në këtë fushë.

