Një pajisje për personalizimin të dokumenteve ka pasur avari në Ministrinë e Punëve të Brendshme andaj edhe ka pamundësuar pajisjen e qytetarëve me dokumente personale.
Siç ka njoftuar Agjencia për Regjistrimin civil në kuadër të këtij dikasteri, ky problem teknik ka qenë nga data 1 gusht.
“Ministria e Punëve të Brendshme përkatësisht Agjencia e Regjistrimit Civil, njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se nga e Hëna – datë 1 gusht 2022 ka pasur avari njëra nga pajisjet për personalizim të dokumenteve gjë që e ka pamundësuar pajisjen me dokumente personale për qytetarët”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Tutje, ata kanë njoftuar se pajisja është riparuar dhe është filluar menjëherë me punën e procedimit të dokumenteve personale.
“Pas angazhimit tre ditor të personelit teknik të Departamentit të Prodhimit të Dokumenteve në kuadër të Agjencisë së Regjistrimit Civil, sot është riparuar pajisja dhe menjëherë ka filluar procedimi i dokumenteve personale”.
Gjithashtu, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar të gjithë qytetarët që zyrtarët e Agjencisë së Regjistrimit Civil janë duke punuar deri në orët e vona për të përmbushur kërkesat e qytetarëve.

