Dy ditë para takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në kuadër të dialogut, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka realizuar një bisedë telefonike me të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, raporton e përditshmja serbe, Danas.
Gjatë kësaj bisede Vuçiç ka nënvizuar faktin se “Serbia, si gjithmonë, do të jetë konstruktive në përpjekjet e saja për të gjetur një zgjidhje kompromisi”.
Sipas Vuçiç, “paqja dhe stabiliteti janë të një rëndësie të madhe dhe se Serbia do të bëjë të pamundurën për t’i ruajtur ato, por se kjo nuk varet vetëm nga njëra palë” .
Më tej sipas një njoftimi të zyrës së presidentit serb, thuhet se Vuçiç dhe Peach janë dakorduar se Serbia dhe Britania e Madhe kanë mundësi të bashkëpunojnë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht nga qëndrimet e ndryshme për shtetësinë e Kosovës.
Komisioni Evropian ka njoftuar se të enjten, në takimin mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç, në Bruksel “duhet dhe do të diskutohen të gjitha çështjet e hapura”, por theksohet se “nuk është e mundur të spekulohet për rezultatet e dialogut”.
Gjithsesi, zëdhënësja e KE-së, Nabila Masrali, deklaroi se Komisioni do të njoftojë së shpejti se cilat tema saktësisht do të jenë në tryezën e bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë.
Ajo theksoi gjithashtu se “për BE-në është më e rëndësishme që të dyja palët të ndalojnë armiqësitë, me mesazhe nxitëse dhe tensione dhe të veprojnë me përgjegjësi”.