Kryeministri Albin Kurti është deklaruar lidhur me takimin e 18 gushtit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
“Më 18 gusht në Bruksel kemi zhvilluar negociata me palën serbe edhe atë me ftesën e Komisionerit të Lartë të BE-së, zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, përgjegjësit për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell. Ky takim fillimisht ishte planifikuar për datën 19 korrik, por u shty si rezultat i mosgatishmërisë për pjesëmarrje nga pala tjetër. Sipas agjendës së komunikuar paraprakisht takimi trilateral i mbajtur në formatin 1+0 do të trajtonte vetëm dy tema – diskutimet për elementet e marrëveshjes finale dhe çështjet aktuale. Një dizajnim i tillë i agjendës reflekton edhe mandatin e vetë ndërmjetësit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak”.
Ai konfirmoi se ka prezantuar gjashtë kapituj që pala kosovare kërkon që të jenë pjesë e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.
“Te tema e parë unë kam elaboruar në detaje këndvështrimin e palës tonë për kornizën e përgjithshme dhe elementet e saj që do të duhej të përfshinte marrëveshja finale edhe atë në formë të gjashtë kapitujve. Kapitulli i parë do të duhej të definonte qartë statusin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve dhe kontekstin ndërkombëtar që nënkupton në njërën anë njohjen reciproke dhe në anën tjetër rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në organizatat ndërkombëtare. Në kapitullin e dytë duhet të trajtojmë ballafaqimin me të kaluarën, të adresojmë të kaluarën ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, personat e zhvendosur, drejtësia tranzicionale, dëmet materiale dhe jomateriale të luftës, kthimi i dokumentacioneve publike, por edhe i artefakteve arkeologjike dhe etnologjike. Pas trajtimit të plotë të së kaluarës mund të diskutojmë për hapat që do t’i ndërmarrim në të ardhmen e të cilët kanë të bëjnë me vendosjen e bashkëpunimit. Për neve e ardhmja është bashkëpunim, bashkëpunim ky që sipas bindjes tonë si pikënisje duhet të ketë katër liritë e dala nga Procesi i Berlinit – liria e kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve”.
“Në kapitullin e katërt ne ofrojmë trajtimin e të drejtave të pakicave respektive, përfshirë edhe garancionet përkatëse si për serbët në Kosovë ashtu edhe për shqiptarët në Serbi. Në kapitullin e pestë duhet të rikonsiderojmë marrëveshjet e deritanishme, por jo me idenë e rinegocimit të tyre siç është plasuar dezinformata nga pala tjetër, por të shqyrtimit të asaj se cilat prej këtyre marrëveshjeve veç janë tejkaluar nga pranimi dhe nënshkrimi i marrëveshjes ligjërisht të obligueshme e finale e cilat prej tyre duhet të vazhdojnë të implementohen. Kapitulli i fundit duhet të vendosë qartë mekanizmat për zbatimin e marrëveshjes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale gjatë zbatimit”.
Kurti deklaroi se pala serbe nuk e ka mirëpritur këtë propozim duke treguar kështu që nuk do normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se ka qenë i gatshëm që të qëndrojë në Bruksel edhe më gjatë për të diskutuar në lidhje me këtë pikë të agjendës.
“Fatkeqësisht ky elaborim i imi nuk është shoqëruar me kontribut pozitiv nga pala tjetër e cila në vend të ideve ka nxjerrë vetëm konstatimin se nuk janë të interesuar për normalizim të plotë, por për hapa të vegjël e gradual. Ka qenë pritja jonë që kjo pikë e agjendës do të konsumojë pjesën më të madhe të kohës për çka edhe jemi treguar të gatshëm të qëndrojmë në Bruksel edhe përtej ditës së enjte, kjo për arsye se edhe problemet e vazhdueshme në raportet mes dy vendeve tona i shohim mes tjerash si simptomë të mosfillimit të bisedimeve për normalizim të plotë”.

