Telenews

Nagavci për padinë e AKK-së ndaj MAShTI-t: Asnjëra kontratë s’u nënshkrua në qeverisjen e VV-së

Asociacioni i Komunave të Kosovës të martën ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), për dëmin që thotë se u është shkaktuar në zbatimin e kontratave kolektive ndaj komunave, i cili pretendon se sillet rreth 35 milionë euro.

Ndërkaq ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë sot se ëhstë njoftuar nga mediet për padinë e ngritur nga AKK-ja.

Ajo, përmes një postimi në facebook, tha se prej vitit 2014 janë nënshkruar tri kontrata kolektive dhe, sipas saj, asnjëra nuk ka qenë nga qeveria e tanishme.

“Prej vitit 2014 janë nënshkruar tri kontrata kolektive në mes të MASHTI dhe SBASHK, të tria në prag të procesit zgjedhor dhe asnjëra prej tyre nga qeverisja e LVV. Për asnjërën nga këto kontrata kolektive nuk është bërë vlerësimi i ndikimit financiar dhe asnjëra prej tyre nuk është regjistruar në Ministrinë e Punës, siç parasheh legjislacioni në fuqi”, ka shkruar Nagavci në facebook.

Kontrata e parë, sipas saj, është nënshkruar në mes të ish-ministrit të Arsimit, Ramë Buja dhe kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Të dytën, sipas saj, në vitin 2017, e ka nënshkruar ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Ndërkaq kontratën e tretë ajo tha se ka nënshkruar  ish-ministri i Arsimit, Ramë Likaj në vitin 2021 dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, derisa ka qenë Qeveria PAN (PDK-AAK-NISMA) dhe ministre e Financave ishte Hykmete Bajrami, transmeton Klankosova.tv

Sipas saj, qëllimi i vërtetë i qeverisjeve të kaluara nuk ka qenë zbatimi i kontratave kolektive, por kalkulimet elektorale, pjesë e të cilave është bërë edhe udhëheqja e SBASHK-ut. “Pavarësisht zotimeve në kohë fushate, mësimdhënësit çdo herë janë detyruar të shkojnë në gjykata për t’i marrë pagat përcjellëse”.

“Ndonëse kontratat janë nënshkruar që nga viti 2014, vetëm prej vitit 2019 kanë filluar të ndahen mjete për pagat përcjellëse pas pensionimit, për çka jam angazhuar edhe personalisht sa kam qenë deputete e Kuvendit të Kosovës në vitin 2018, duke paraqitur amendament të veçantë për këtë në Ligjin e Buxhetit”.

Ajo tha se kryetarët e komunave, të cilët kanë paraqitur padi, janë pjesë e partive politike që kanë qenë në pushtet kur janë nënshkruar këto kontrata dhe nuk kanë planifikuar asnjëherë buxhet.

“Të njëjtit nuk kanë reaguar as në publik e as brenda subjekteve të tyre politike për efektet që mund t’i kenë këto kontrata në buxhetin e shtetit pavarësisht a bëhet fjalë për nivelin shtetëror a komunal e as nuk kanë ndikuar që këto mjete të planifikohen përgjatë këtyre viteve. Gjatë kësaj periudhe nuk është dëgjuar as zëri i Asociacionit të Komunave të Kosovës, i cili gjatë gjithë kësaj kohe me zell po e bën avokatin e komunave në përgatitjen e padive dhe po ngrit çështje të shumta në pengim të punës së institucioneve”, ka shtuar ajo.

Nagavci tha se si qeveri po ballafaqohen me pasojat e veprimeve të pararendësve të tyre, duke shtuar se nuk do të lejojnë zhvatjen e buxhetit të shtetit dhe asgjë tjetër që bie ndesh me ligjin.

“Me vullnet do të adresojmë tek organet kompetente pretendimet për çdo shkelës të ligjit ashtu siç do të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme për secilën nga situatat me të cilat po ballafaqohemi duke respektuar legjislacionin në fuqi”.

Të ngajshme

Dyshohet për një vetëvrasje në Pejë

Rrezarta Ramaj

Ngjarjet e datës 16 mars

Rrezarta Ramaj

Arrestohet një person, i bëri për spital dy policë

Blearta