Drejtuesit e Asociacionit Frankofon të Komiteteve Olimpike Kombëtare (AFCNO) i kanë dërguar letër urimi Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), me rastin e anëtarësimit në AFCNO muajin e kaluar.
Në urimin drejtuar presidentit Krasniqi, AFCNO shpreh kënaqësinë e bashkëpunimit dhe promovimit të gjuhës frënge dhe të mbështetjes në zhvillimin e sportit në botën frëngo folëse, transmeton Klan Kosova.
“Ky bashkëpunim do të konkretizohet në janarin e vitit 2023 me dërgimin e një vullnetari në Komitetin Olimpik të Kosovës, si pjesë e programit të ambasadorëve të gjeneratës 2024”, thuhet mes tjerash në letrën e sekretarit të përgjithshëm të AFCNO, Jean-Pierre Siutat.
KOK u anëtarësua në AFCNO në Asamblenë e Përgjithshme, të mbajtur më 21 tetor në Seoul të Koresë së Jugut.
AFCNO është themeluar në vitin 2010 në Paris të Francës, dhe që nga atëherë numëron 51 anëtarë.

