Ish-presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter, ka thënë se nëse do të ishte ende në detyrë do ta përjashtonte Iranin nga Kupa e Botës, për shkak të gjendjes aktuale në vend.
Këtë javë, Blatter ka thënë se zgjedhja e Katarit si nikoqir për Kupën e Botës, ishte një gabim, pavarësisht që ishte ideja e tij, teksa kishte shtuar se ideja fillimisht ishte që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta mbanin këtë Botëror, që do të fillojë në një javë.
“Ne duhet ta përjashtojmë Iranin nga Kupa e Botës”, tha Blatter për gazetën Blick në një nga intervistat e shumta që zvicerani ka dhënë për mediat në vendin e tij këtë javë, me rastin e afërsisë së Kupës së Botës.
Blatter e quajti “të pakuptueshme” që presidenti aktual i FIFA-s , Gianni Infantino, me të cilin ai pranon se ka një marrëdhënie të keqe, nuk ka mbajtur qëndrim për Iranin pas disa muajsh pakënaqësie në këtë vend për vdekjen e gruas Mahsa Amini, e cila shkaktoi protesta, që lanë të paktën 277 të vdekur dhe mijëra të burgosur.
Ekipi iranian ka luajtur katër nga gjashtë kupat e fundit të futbollit, dy prej tyre nën presidencën e Blatter, në një kohë kur ai vend u kritikua gjithashtu për shkelje të të drejtave të njeriut.
Në Katar, skuadra e trajnerit portugez Carlos Queiroz është në grupin B së bashku me Anglinë, Uellsin dhe Shtetet e Bashkuara.

