Prej muajsh në rrjetet sociale ka filluar një iniciativë qytetare mobilizuese, për bojkotimin e produkteve ushqimore dhe të tjera, që kanë origjinë nga Serbia.
Në fakt, gjithçka ka nisur me krijimin e një grupi të formuar në rrjetin social – Facebook, me emrin Besa-Besë ”MOS BLI PRODHIME SERBE” e i cili tash numëron mbi 100 mijë anëtarë dhe është tepër aktiv, transmeton Telenews.al
Ndër inicuesit e këtij grupi me shumë ndikim, është edhe ndërmarrësi i njohur vendor nga Komuna e Dragashit, Burim Piraj.
Mobilizimi i madh i anëtarëve të këtij grupi, ka bërë që gjatë ditëve të fundit, shitja e prodhimeve me origjinë nga Serbia në marketet kosovare dhe pikat tjera shitëse, të bie maksimalisht e për këtë që po e themi, mund ta vërtetojmë fare lehtë nëpër teren, duke i parë raftet e tregtarëve të mbushura me këto produkte.



Grupi ”MOS BLI PRODHIME SERBE” funksionon në Facebook prej muajsh, por mobilizimi i madh i tyre ka ndodhur sidomos me tensionet e fundit në veri të vendit nga strukturat kriminale serbe, që vazhdimisht po e cenojnë territorin e shtetit kosovar.
Numri i anëtarëve në këtë grup, ka pasur rritje të madhe sidomos në ditët e fundit me ç’rast ndikimi tashmë shihet qartë në teren, duke bojkotuar produktet e një shteti që ka kryer masakra gjenocidiale në vendin tonë dhe vazhdon të ketë pretendime territoriale edhe 23 vite pasluftës, çfarë me të vërtetë është për t’u neveritur.
Duhet cekur se një pjesë e madhe e ekonomisë serbe, mbahet nga eksportimi i prodhimit në shtetin e Kosovës dhe bojkotimi i këtyre mallërave nga qytetarët e Kosovës, do të ishte tronditje e madhe për ekonominë e një shteti që nuk e ka njohur vendin tonë, madje vazhdimisht luan politika kundër Kosovës.
/Telenews.al/

