Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill ka thënë se nuk është detyrë e tij që ta kritikojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për raportet me Serbinë.
Ai ka thënë se kjo është punë për të tjerët.
“Nuk është përgjegjësi e imja ta kritikoj kryeministrin Kurti, kjo është punë për të tjerët, jo për mua. Përgjegjësi e imja është që të përpiqem të ndërtoj raportet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara. Sinqerisht, kemi humbur kohë, kështu që duhet të fokusohemi këtu”, ka thënë Hill në një intervistë për edicionin serbisht të Euronews.
Ai ka thënë se është ndjerë i dëshpëruar kur është kthyer në Ballkan pas 23 viteve.
“Më duhet ta pranoj që jam disi i dëshpëruar pas kthimit në Ballkan pas 23 vitesh. Dëgjoj problemet të njëjta çdo ditë, por duke pasur parasysh që jam ambasador në Serbisë, kam shumë përgjegjësi”, ka deklaruar ai.
Hill, një diplomat karriere, ka shërbyer si Emisar Special gjatë luftës në Kosovë dhe ishte i përfshirë drejtpërdrejt në negociatat në Rambuje më 1999, shkruan Gazeta Express.
Christopher Hill, gjatë qershorit 1998, si i dërguar special i SHBA-së për Kosovën, së bashku me diplomatin e lartë Richard Holbrooke, kishin takuar përfaqësuesit e UÇK-së në Junik.
Ai së bashku me ambasadorin William Walker kishin vizituar shtabin e UÇK-së në Likoc më 13 janar 1999 për ta ndërmjetësuar lirimin e 8 ushtarëve serbë të cilët ishin zënë rob.
Diplomati Hill ishte angazhuar edhe si pjesë e ‘Grupit të Kontaktit’ për të gjetur një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë gjatë takimeve në Rambuje të Francës.

