Në konferencën ndërkombëtare për Siguri Kibernetike “Cyber ZERO”, shefi i ekzekutivit ka thënë se digjitalizimi i administratës publike mundëson rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në qeverisje si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët e bizneset.
“Sulmet kibernetike sot kanë potencial për të shkaktuar dëme me shtrirje të gjerë, duke filluar nga rënia e uebfaqeve, degradimi e ndërprerja e shërbimeve elektronike e deri te cenimi i funksionimit të infrastrukturës kritike dhe rrezikimi i sigurisë kombëtare”, është shprehur Kurti.
“Kësisoj në tetor të vitit të kaluar kemi miratuar ligjin për siguri kibernetike, dhe ligji tash është aprovuar në lexim të parë në kuvend. Ky ligj përcakton përgjegjësitë e autoriteteve në fushën e sigurisë kibernetike, detyrat e subjekteve të sigurisë kibernetike, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe masat për parandalimin e sulmeve kibernetike në vendin tonë”, tha Kurti.

