Policia e Kosovës ka lokalizuar vendndodhjen e të dyshuarit për vjedhje të rëndë, Shqiprim Dedaj.
Përmes një komunikate, Policia ka bërë me dije se kjo është arritur pas publikimit të të dhënave të Dedajt dhe bashkëpunimit me qytetarë dhe media.
“Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, me datën 31.01.2023 ka lëshuar kërkesë për bashkëpunim me qytetarë për arrestimin e personit Shqiprim (Tomë) Dedaj i lindur me 28.11.1984, banues në rrugën “Pashko Vasa” në Gjakovë i cili kërkohej për veprën penale “Vjedhje e rëndë””, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, në momentin e arrestimit, në posedim të Dedajt janë gjetur dhe janë sekuestruar një shumë parash të cilat dyshohet se ai i kishte përvetësuar në kohën e kryerjes së veprës penale.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

