Gratë të cilat nuk kanë mundësi për shkaqe të ndryshme të krijojnë një shtatëzani me rrugë natyrore, tashmë kanë një shpresë me metodën e mbarësimit IVF apo (mbarësimi artificial), shkruan Telenews.al.
Ndonëse është konsideruar si metodë mjaftë e suksesshme, në Kosovë përveç në klinikat private kjo metodë nuk aplikohet në ato publike, ani pse ishte përfolur që do të fillonte.
Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, vlerëson se edhe pse reparti i IVF-së është i përfunduar, kjo metodë akoma nuk ka filluar të aplikohet.
Sipas tij, e gjithë puna ka mbetur tek tenderi, në mënyrë që operatori të fillojë sigurimin e pajisjeve të nevojshme.
“Kjo metodë ende nuk ka filluar që të aplikohet në Klinikën -Gjinekologjike, Reparti i IVF-së është i perfunduar dhe i gatshëm të fillojë punën, mirëpo presim që të hapet tenderi dhe operatori fitues të fillojë sigurimin apo blerjen e pajisjeve të nevojshme për këtë metodë”, deklaron ai.
Derisa flet për aplikimin e kësaj metode në Kosovë, ai thotë se stafi mjekësor është trajnuar për ta kryer një punë të tillë.
“Stafi mjekësor është trajnuar për një punë të tillë. Po sa të sigurohen pajisjet-aparaturat presim që puna të fillojë. Kur do të ndodhë kjo nuk varet prej Klinikes tonë, por shpresoj sa më shpejtë të fillojë punën me IVF”, thotë ai.
Ndërsa, sa i përket problemeve që ka shtatëzania përmes kësaj metode, ai thotë se problemet janë vetëm në javët e para të zhvillimit.
“Ka mjaftë qifte bashkëshortore që e aplikojnë këtë metodë në Kosovë. Metoda e mbaresimit artificial (IVF) në fillim ka probleme si përshembull ngjizja apo implantimit në kavitetin e mitres si dhe probleme në javët e para të zhvillimit. Ndërsa probleme tjera nuk ka dhe konsiderohet si metodë e suksesshme”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, Fertilizimi in vitro (IVF) është një metodë e trajtimit të përdorur kur çiftet nuk mund të lindin fëmijë pavarësisht marrëdhënieve të rregullta të pambrojtura. /Telenews.al/

