Mosmarrëveshjet e momentit mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete, raporton Telenews.al.
Personat që ushtrojnë veprimtarinë e taksisë, në shumë raste ballafaqohen me telashe qoftë në komunikacion, me pasagjerë apo me pjesëmarrësit tjerë në trafik.
Kështu ka ndodhur së fundi në rrugën ‘Nënë Tereza’ në Fushë Kosovë, ku një person që punon si taksist, ka hasur në telashe me një person i cili dyshohet se e sulmoi fizikisht.
E gjithë ngjarja kishte ndodhur në pikë të ditës, kur 64-vjeçari ishte ndalur me veturën e tij për t’i marrë disa pasagjerë në lokacionin në fjalë.
Bazuar në dëshminë e tij dhënë organeve të hetuesisë, në atë moment një person i cili ndodhej me veturë prapa tij, e ka tejkaluar në mënyrë të rrezikshme dhe më pas ia ka bllokuar rrugën, duke ia pamundësuar lëvizjen.
I njëjti dyshohet se kishte dalë nga vetura dhe ishte afruar te viktima, të cilin më pas e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me grusht. Kjo kishte bërë që 64-vjeçari të reagojë dhe ka hapur derën e veturës për t’i penguar goditjet e të dyshuarit. Mirëpo në atë moment, i riu dyshohet se me lëvizjet e tij ia ka zënë viktimës këmbën me derë të veturës dhe si pasojë, 64-vjeçari ka pësuar lëndime trupore, për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
I dyshuari po ashtu ka shkaktuar dëme materiale edhe në veturën e viktimës.
Si rezultat i denoncimit të rastit në Polici, njësitë policore kanë marrë veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Në kuadër të veprimeve hetimore, janë marrë pamjet nga kamerat e sigurisë që monitorojnë atë zonë, duke u arritur kështu që të identifikohet personi i dyshuar.
23-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe para hetuesve policorë, ai ka pranuar se ka kryer veprën për të cilën dyshohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit, ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Sulm’ dhe ‘Dëmtimi apo asgjësimi i pasurisë’. /Telenews.al/

