Telenews

Prokurori: Thaçi erdhi fshehurazi, mohoi rolin e tij gjatë luftës, çfarë donte të fshihte?

Ish-presidenti Hashim Thaçi është piketuar në deklaratën hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, në fillim të gjykimit ndaj tij dhe tre ish-krerëve tjerë të UÇK-së, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokurori Alex Whiting tha Thaçi në disa intervista para ZPS-së në Hagë kishte mohuar rolin e tij në luftë dhe rolin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Gjatë hetimit të kësaj çështjeje, Hashim Thaçi erdhi disa herë fshehurazi në Hagë për t’ju dhënë prokurorëve intervistë të zgjatur dhe të video-incizuar. Gjatë këtyre intervistave, mes një sërë pranimesh të rëndësishme, ai mohoi shumëçka lidhur me rolin e tij gjatë luftës dhe lidhur me rolin e Shtabit të Përgjithshëm. Për shembull, z. Thaçi pretendoi se Shtabi i Përgjithshëm nuk kishte asnjë funksion deri në nëntor të ’98-ës dhe edhe pas kësaj date, ekzistonte vetëm në letër”, tha ai.

Prokurori i ZPS-së pretendon se provat e tyre do të dëshmojnë se Thaçi kishte gënjyer dhe ndryshuar deklaratat e tij.

“Provat që do të paraqiten në këtë gjykim, të nderuar gjykatës, do të tregojnë se këto pretendime ishin të rreme. Ato bien ndesh edhe me vetë deklaratat që z. Thaçi i ka dhënë herë të tjera, me deklaratat që kanë dhënë disa prej të akuzuarve dhe nga provat e shumta që do të paraqiten në këtë gjykim”, tha ai.

Whiting iu tha gjykatësve se duhet të pyesin se pse Thaçi i kishte bërë këto.

“Ndërkohë që do të dëgjoni provat e paraqitura gjatë këtij gjykimi, të nderuar gjykatës, ju sugjeroj t’ia bëni vetes këtë pyetje: përse z. Thaçi erdhi këtu në Hagë dhe i bëri këto pretendime të rreme sa i takon rolit të tij gjatë luftës dhe lidhur me UÇK-në. Nga çfarë donte të largohej? Çfarë po përpiqej të fshihte. Në fund, gjykimi që po fillon sot, do t’u japë përgjigje këtyre pyetjeve”, tha prokurori i Speciales.

Të ngajshme

Hapet afati për subvencionimin e energjisë elektrike për familjet e cenueshme

Rrezarta Ramaj

Jansha uron Kurtin për mandatin e ri, premton mbështetjen e Sllovenisë për integrimin evropian

Rrezarta Ramaj

Xhiroja e pestë: Bashkimi vazhdon kryesimin, Trepça fillon këndelljen

Rrezarta Ramaj